Nga Kastriot Dervishi
Më 26 korrik 1943, Tapizë të Tiranës në shtëpinë e Is’han Toptanit u zhvillua një bisedë paraprake midis delegacionit të Këshillit të Përgjithshëm Nacionalçlirimtar dhe delegacionit të Ballit Kombëtar, në lidhje me një marrëveshje politike. Te Nacionalçlirimtarët ishte ende Abaz Kupi, i cili shpresonte të forconte pozitat e tij. Informacioni mëposhtëm është nxjerrë nga një dosje e Arkivit të PPSH-së, e cila nuk është origjinale. Dokument tjetër nuk është gjetur.
Delegacioni i Këshillit të Përgjithshëm Nacionalçlirimtar përbëhej nga:
-Abaz Kupi
-Myslim Peza
-Ymer Dishnica
-Mustafa Gjinishi
-Kamber Qafmolla (ende kryetar formal i Frontit)
Delegacioni i Ballit Kombëtar i përbërë nga:
-Mit’hat Frashëri
-Hasan Dosti
-Faik Quku
U pranuan së dëgjues: At Lekë Luli, Is’han Toptani, Xhemal Herri, Gogo Nushi, Sali Vata. Kryetar i mbledhjes u zgjodh Mit’hat Frashëri dhe sekretar Mustafa Gjinishi. Pas bisedimeve u arrit në përfundimin për të kryer një luftë të përbashkët kundër pushtuesit si dhe për miratimin e një shpalljeje të përbërë prej 5 pikash:
I-Formimin e Komitetit për Shpëtimin e Shqipërisë
II-Komiteti do kishte këtë program:
1-Luftë të menjëhershme kundër pushtuesit për çlirimin e Shqipërisë
2-Sigurimin e pavarësisë në kufijtë e 1913-s, me qëllim të mëtejshëm bashkimin kombëtar me trojet e mbetura jashtë vendit, sipas Kartës së Atlantikut.
3-Një Shqipëri të lirë, indipendente e demokratike të vërtetë.
4-Forma e regjimit i lihej popullit të vendoste me anën e një asambleje kushtetuese, të zgjedhur nga populli (me sistem zgjedhor “sufrazh universal).
5-Komiteti pushonte së ekzistuari deri në formimin e qeverisë së përkohshme.