Siç edhe dihet personeli i kampeve dhe burgjeve të Shqipërisë në kohën e sundimit të regjimit komunist, përbëhej nga niveli më i pashkolluar që mund të kishte vendi. Ishte cilësia më e lartë e injorancës. Në mënyrë ironike, sidomos në 20 vitet e para të regjimit, këta të pashkolluar mbanin të burgosur gjithë universitarët që kishte pasur vendi. Ky fakt ishte treguesi më i mirë se veç të tjerash, vitit 1944 ishte edhe triumf i injorancës dhe se vetëm injorancë do prodhonte. Një skenë humori të ndodhur rreth vitit 1963 në Repartin nr.321 Burrel e tregon edhe përshkrimi i mëposhtëm, teksa leximi ishte një hall i madh për oficerët dhe nënoficerët e burgut në fjalë.
Pjesë nga rrëfimi i Agim Mustës
Para pushimit të mbrëmjes, bëhej apeli nga oficeri dhe nënoficeri i shërbimit. Çdo i burgosur, kur dëgjonte emrin çohen në këmbë me qëndrim gatitu, por emri dhe mbiemri i tij, kurrë nuk lexohej ashtu siç ishte shkruar në librin e apelit. Oficerët dhe nënoficerët gjysmëanalfabetë, i lexonin me aq deformime emrat e të burgosurve, sa që shpesh shkaktonin çaste humori në atë vend të zymtë. Një herë, një oficer e filloi apelin duke lexuar “Emli Bimli”. Asnjëherë nga të dënuarit nuk u çua në këmbë. Në kaushin tonë dhe në të gjithë burgun, s’kishte ndonjë të burgosur me emrin Emli Bimli. I acaruar, oficeri lexoi për herë të dytë me zë më të lartë. Askush s’u përgjigj. Ne shtrëngonim buzët që të mos qeshnim, por na tradhtonin fytyrat. Kjo e tërboi oficerin dhe për herë të tretë bërtiti me sa zë kishte në kokë: “Emli Bimli të çohet në këmbë”. Situatën tragjikomike të krijuar, e shpëtoi përgjegjësi i kaushit, duke i shpjeguar oficerit me shumë politesë, se ai po bënte një gabim pa dashje, duke lexuar atë që shkruhej sipër listës, domethënë, “emri mbiemri”. Oficeri i turpëruar nga injoranca e tij, u largua me nxitim, pa e bërë apelin. Mbasi u vendos llozi i jashtëm i derës nga gardiani, të gjithë të burgosurit u shkrinë së qeshuri për disa sekonda. (Agim Musta, “Dosjet e gjalla”, Tiranë 1995, faqe 38)