Ata që vinin nga kategoritë që partia i quante “antiparti”, rekrutoheshin fare lehtë dhe në të shumtën e rasteve pa qenë nevoja për material shtrëngues. Nëse shtëpia kishte qenë “bazë e LANÇ-it”, rrethi farefisnor me pushtetin, e bënin rekrutimin fare të lehtë. I dënuari vriste mendjen se ku i kish tradhtuar partinë e si e si t’i shpërmblente mirë asaj. Rasti i një të dënuari që komandohej nga Drejtoria e Hetuesisë në MPB nëpërmjet Drejtorisë së Punëve të Brendshme Tiranë, por që për raste të rralla përdorej për Sigurimin e Shtetit aty ku vuante dënimin. Puna e tij kryesore ishte në dispozicion të organit të hetuesisë. Kjo kategori që bënte pjesë te spiunët e birucave, njihet fare pak si teknikë. Duke menduar se kishte shërbyer, mirë, ai i shkruan autoriteteve për të ndërhyrë në faljen e dënimit të mbetur. Megjithatë, vuajti plot 9 vjet.
Letra e spiunit të birucave
Jam X.Y, ... Familja ime ka qenë e lidhur me luftën nacionalçlirimtare që në vitin 1942 nëpërmjet prindërve dhe vëllezërve të mi...Jam arrestuar më 1 tetor 1975 me akuzën e agjitacionit e propagandës dhe për këtë u dënova me 10 vjet heqje lirie. Gjatë qëndrimit në hetuesi dhe gjyq, për fajet e mia kam mbajtur një qëndrim korrekt dhe autokritik. Mbas vajtjes në Repartin e riedukimit edhe pse u dënova, nuk radhë nën prehrin e armiqve të partisë dhe të popullit, por ju futa rrugës së riedukimit që më tregoi komanda e Repartit 309/1 Ballsh ku vuaj dënimin duke përqafuar të gjitha format e edukimit pa përjashtim, si të vetmet rrugë për rikthim në gjirin e shoqërisë dhe të familjes, i shëndoshë nga të gjitha drejtimet. Në Repartin e Riedukimit kam luftuar ballë për ballë elementin armik dhe keqbërës duke bërë demaskimin e tyre në vend, por edhe në format e tjera që ja janë vënë në dispozicion nga komanda si estradë, orë gazmore, etj. Në asnjë çast nuk kam ngatërruar dënimin që me të drejtë m’u dha, me dashurinë për partinë dhe në këtë prizëm duke mbajtur një qëndrim të rreptë dhe autokritik ndaj vetes, jam bërë shembull i mirë dhe kam punuar edhe me elementin që kam menduar se shërohet dhe kam pasur rezultate të mira në drejtim të njohjes së fajësisë nga ana e tyre futjes me ndërgjegje rrugës së riedukimit. Gjatë kohës së lirë jam marrë kryesisht me studimin e materialeve të partisë dhe të udhëheqësit, si të vetmet që më mësojnë të njoh veten dhe bazën që më rrethon.Gjatë qëndrimit në repart, sa herë më është kërkuar ndihmë nga organet e Sigurimit të Shtetit e kam dhënë atë me dëshirë dhe pa marrë parasysh asgjë. Për sqarime të mëtejshme mund t’iu japë ato ndonjë person i autorizuar prej jush. Deri tash, pothuaj kam kryer 6 vjet nga dënimi. Kam për të vuajtur edhe 4 vjet të tjera. Por duke u nisur nga qëndrimi im gjatë kohës që vuaj dënimin si dhe nga gjendja e familjes, dy pleq të vjetër, të ndershëm e patriotë, të cilëve dëshiroj t’u jem pranë në vitet e fundit të jetës së tyre, të mundohem t’ua zbardh sadopak atë pleqëri që ua nxiva si mos më keq si edhe të jem krah gruas time, lumturinë më të madhe të cilën unë e konsideroj si vepër dhe dhuratë të partisë. Me lirimin tim z.ministër, ju premtoj se shoqëria do të ketë në gjirin e saj një njeri të shëndoshë plotësisht nga sëmundja e kaluar. Partia do të kenë një ushtar më tepër, të gatshëm për vënë kokën atje ku shkel këmba e saj. Megjithëse këtë kërkesë e quaj të domosdoshme për shoqërinë, familjen dhe veten, por pavarësisht nga kjo, në rast se nuk shihet e arsyeshme lirimi im para kohe me kusht, unë ju premtoj se përsëri do të punoj me këtë vrull revolucionar që më ka karakterizuar deri tani.
Me nderime, i dënuari XY
Tiranë 20.3.1982