Në një letër që Koço Tashko i dërgon Kominternit, rreth tetor-nëntorit 1942, flet për situatën në të cilën u mbajt mbledhja e Pezës, për mundësinë që i krijoi regjimi fashist lëvizjes së Myslim Pezës si dhe raporti i forcave aty. Kontingjenti kryesor që gjente strehim në zonën e Pezës këtë kohë ishin persona në kërkim: ushtarë dezertorë dhe kriminelë. Ky ishte edhe boshti i cili vite më vonë do reklamohej si mbrojtës i “lirisë” dhe "idealit". Në të vërtetë ishte një grumbullim nga nevoja dhe jo nga ideali. Padyshim rolin më të madh në mbledhjen e Pezës e pati Miladin Popoviçi.
Pjesa nga letra e gjatë e Koço Tashkos
Qëndrimi i KQ karshi Myslim Pezës ka qenë që në fillim negativ. Mbaj mend që u formulua prej shokut Miladin kështu: “Neve na duhen çetat tona partizane, s’mundemi të humbasim kohë e material për një kriminel”. Për fat të keq, s’mund të gjesh një nacionalist (Koço Tashko e quan Myslim Pezën nacionalist, kur në të vërtetë ai nuk ka qenë i tillë. shënim) me guxim i cili të mos ketë bërë krime. Edhe më të mirët janë bijtë e sistemit feudal që ka pasur dhe ka akoma Shqipëria. Por vetëm një sektar mund ta harrojë rëndësinë nacionalçlirimtare të 20-30 katundeve në rrethet e Pezës ku Myslimi ka patur influencë të madhe. Këto katunde ndodhen në zemrën strategjike të Shqipërisë në trianglin Tiranë-Durrës-Elbasan, komandojnë rrugët (arteriet) kryesore të fashizmit, janë 4-6 orë larg në këmbë nga kryeqyteti. Ky rajon u ndesh me fashizmin (pa ndihmën e komunistëve, vetëm me katundarë dhe me të arratisur e kriminelë), në korrik 1941 deri në fund të shkurt 1942, çeta e Myslimit ndenji ilegale në kodrat e Pezës dhe fashizmi nuk guxoi ta ndjekë.
Atje u mblodhën komunistë dhe ushtarë të arratisur. Tue mos patur milicë shqiptarë për të shtypur çetën e Myslimit, italianët ofruan një kompromis të cilin vëllai i Myslimit, Shyqyriu, e pranoi në shkurt 1942. Kompromisi ish që Shyqriu të ruajë qetësinë në Pezë dhe si shkëmbim të mos ketë të drejtë të mbajë fuqi të armatosura; polic e xhandarë në Pezë. Në rajonin e Pezës u formua një soj republike në zemër të fashizmit. Myslimi nuk e pranoi kompromisin, por përfitoi nga autonomia. Lidhjet me Partinë Komuniste i pranoi në bazën e besës shqiptare, pranoi pothuaj çdo gjë që i propozoi partia...
Me kapjen e dokumenteve he trakteve që provonin se në Pezë u mbajt konferenca e partisë me nacionalistët, fashizmi i ra Pezës. Mblodhi 6000 milicë shqiptarë e ushtarë italianë që t’i bjerë Pezës. Përdori tanke, topa dhe 14 aeroplanë bombardues dhe mitralues. Ritirata e Pezës u bë rastësisht pa humbje të mëdha (1 shok dhe 2 katundarë të vrarë, humbjet e armikut në njerëz ishin po aq. Terror i madh në katunde: djegie, plaçkitje, vrasje, çnderime. Myslimi sot ndodhet në male ilegal me një çetë të vogël. Asnjë katundar nuk e pasoi, një pjesë e mirë e simpatizojnë, shumica janë me Shyqyrinë, nga i cili shpresojnë për një kompromis të ri (Shyqyrinë po e mban prefekti i Tiranë në besë).