Nga Kastriot Dervishi
Përfaqësitë diplomatike shqiptare në Jugosllavi, legata e Beogradit, kryekonsullata e Shkupit dhe konsullata e Manastirit në gjysmën e dytë të viteve ’20 dhe vitet ’30 luanin një rol mjaft të madh përkujdesës ndaj shqiptarëve që banonin në trojet e veta në Jugosllavi. Dokumentacioni në fjalë është fare pak i studiuar. Aty del fare e qartë se politika e shtetit shqiptar në këto vite ka qenë e qartë dhe thellësisht kombëtare. Më poshtë një letër e të ngarkuarit me punë në legatën shqiptare në Beograd me Mbretin Zog.
***
Legata Mbretërore e Shqipërisë Beograd
Beograd, 17 dhjetor 1938
Naltmadhni
Zoti ministër i Punëve të Jashtme me dorëzoi shumën 13.000 franga ari që denjuat të më jepni për fushatën elektorale, të cilat me kursin e atëhershëm që këmbyem çekun, kapin shumën 208.000 dinarë. Këtë shumë ua dhashë Ferhat Beut dhe kandidatëve tanë sipas listës që do të denjoni të gjeni këtu mbyllur dhe sipas dëftesave që prapë në dublikatë do të denjoni të gjeni këtu mbyllur. Më mungojnë dëftesat e zotërinjve Aqif Gjilani, Kadri Salihu dhe Rrapush Osmani, të cilët do të arrijnë këto ditë dhe menjëherë kam për t’jua dërguar Naltmadhnisë suaj.
Denjoni Naltmadhni të besoni në ndjenjat e besnikërisë dhe të devocionit më të thellë të shërbëtorit besnik.
Tahir Shtylla