1987/Krim në kufi, vrasësit u dekoruan

Premte, 02 October 2020 15:46
Pandeli Mërtiri i vrarë në kufi Pandeli Mërtiri i vrarë në kufi

Pandeli Mërtiri nga Qeparoi dhe një shok i tij menduan të arratiseshin jashtë vendit. Pandeli përveç të tjerash kishte dyshime se mund ta arrestonin. Të dy shokët më 29.10.1987 nisen nga Vlora me tren. Zbresin në Ballsh. Nga këtu me një “Skoda” mbërrijnë në Gjirokastër. Flenë një natë aty. Udhëtuan me autobus dhe zbritën në Grapsh e prej andej iu drejtuan kufirit me synimin për të shkuar në Greqi dhe SHBA. Kur arritën te kloni, pasi e prekën atë, nuk mundën të evitojnë sinjalin. Komisar Mehmeti i postës së Peshkëpisë pasi konstatoi nga sinjalistika se ishte shkelur kloni i kufirit, lëshoi kushtrimin. U njoftua qendra (në Jorgucat) dhe u ngritën në kushtrim postat kufitare të Buretos e Radatit si dhe forcat vullnetare të fshatrave Peshkëpi, Glinë, Vllahogoranci.

Më 31.10.1987, ora 6.15, njësiti i postës kufitare të Peshkëpisë, i përbërë nga ushtarët Edmondi nga Krahësi i Tepelenës (i vitlindjes 1966) dhe Bajrami nga Papri i Elbasanit (i vitlindjes 1965), të frikësuar nga mjegulla e tmerri se mos shkelësit ikin, hapën zjarr ndaj tyre duke vrarë në vend Pandeliun (plagët ishin të shumta në kokë e në trup) dhe duke plagosur në krah tjetrin.

Ushtarët që morën pjesë në vrasje dhe kapjen e atij që shpëtoi, u propozuan dhe u dekoruan më pas me medaljen e trimërisë. U dekoruan edhe kuadrot e postave. Të dy vrasësit deklaronin:

-Ushtar Bajrami: “Hapëm zjarr në drejtim të shkelësit për ta plagosur, por me qenë se ai edhe pas kësaj vazhdoi të ikte me vrap në drejtim të vijës së kufirit, atëherë e qëlluam me automatik dhe e vramë”.

-Ushtar Edmondi: Përballë kësaj situate dhe meqenëse mjegulla ishte e dendur e mund të kalonte kufirin shkelësi, neve e qëlluam si unë dhe Bajrami me automatik dhe e vramë.

Login to post comments