Deputetët që krahasova me foton e dy deputetëve të viteve ’30 janë Fari Stara (1909) dhe Abedin Bidollari (1911), lindur në Peshtan të asaj ane. Referuar posterit zgjedhor të tyre, të shpërndarë për popullin për zgjedhjet e vitit 1950 për Kuvendin Popullor, shoku Fari rridhte nga “një familje e varfër fshatare”, “si gjithë fshatarësia e varfët e vendit tonë”, e cila “shfrytëzohej nga bejlerët e agallarët”. Nuk thuhej asgjë për arsimin e tij, d.m.th. në e kish kryer filloren apo jo. Ishte bërë anëtar partie në vitin 1947 dhe në vitin 1949 u zgjodh kryetari këshillit popullor të Lokalitetit të Moglicës. Kandidonte për zonën nr.49.
Kandidati tjetër ishte Abedin Bidollari nga Lumalasi. Në biografi thuhej se familja e tij “në të kaluarën nuk siguronte as bukën e gojës”. “Me mundime të mëdha” kish munduar të kryente 5 klasë fillore. Në vitin 1946 u bë anëtar partie. Ishte ndër nismëtarët e ngritjes së kooperativës bujqësore të Lumalasit në dhjetor 1947. “Ai punoi pa u lodhur për të shtypur rezistencën e elementëve kulakë të cilët kërkonin të pengonin me parullat e tyre helmatuese bashkimin e fshatarëve në kooperativë...Luftën kudra kulakëve e ushtron dhe është shumë i ashpër karshi tyre”-thuhej në poster. Kandidati i zonës nr.48 vlerësohej për prodhimin e patates në kooperativën që drejtonte.