Nga Kastriot Dervishi
Në përfundim të procesit të Maliqit, tre u ekzekutuan me pushkatim dhe dy me varje në litar (inxhinierët drejtues të punimeve). Propaganda komuniste u kujdes që ta injektonte në popull idenë se të dënuarit me vdekje, i kishin mohuar popullit të mira materiale të paimagjinueshme. Në fakt po gjykohej dija nga injoranca që ishte tashmë pushteti dhe koka e çdo ligësie.
Dosja hetimore-gjyqësore dhe dy dosjet formulare për dy persona, nuk hedhin asnjë lloj drite në këtë ngjarje. Të referosh këto dosje apo t’i marrësh qorrazi ato, do të thotë t’i shërbesh manipulimit të kësaj çështjeje. Po ashtu nuk është mbajtur procesverbal ekzekutimi. Vendi i krimit u zgjodh Maliqi. Kameramanët jugosllavë udhëtuan nga Beogradi për të xhiruar skenat e vetme të historisë së Shqipërisë të një ekzekutimi barbar mesjetar. Ishin përgatitur dy trekëmbësha për varjen e Abdyl Sharrës dhe Kujtim Beqirit. Ndërkohë para 6 pushkatarëve u rreshtuan të lidhur zinxhir nga duart e të kthyer prapa, sipas kësaj radhe: Zorika Mano, Vasil Mano, Eugenio Scaturo. Ishte 22 nëntori i vitit 1946. Shtypi i kohës shkruan se punëtorët donin “t’i shqyenin me duart e tyre”. Në rolin e prokurorit të popullit është vënë një punëtor, i cili mbajti një fjalim bolshevik duke vënë në dukje “tradhtinë” e të shkolluarve, bashkë me dëshirën e punëtorëve që “zhdukja e sabotatorëve” të shihej me sytë e tyre. “Kujt t’i pëlqejë le të bëjë si këta”-mbylli fjalimin punëtori nën brohoritjet për “drejtësinë popullore” e një populli të varfër të eksituar për gjatë.
Vite më vonë gjatë ndërtimit të një objekti në Maliq, dyshohet se janë nxjerrë dhe hedhur eshtrat e 5 personave të ekzekutuar.