“Popujt vëllezër të Jugosllavisë i kemi miq të mëdhenj e të sinqertë, miqësinë do ta ruajmë si sytë e ballit”

Saturday, 26 December 2020 12:19

Nga Kastriot Dervishi

Më 23 qershor – 2 korrik 1946, Enver Hoxha zhvilloi një vizitë në Jugosllavi. Përveç Kosovës brodhi në gjithë Jugosllavinë. Kur u kthye në Tiranë më 2 korrik 1946, gazeta “Bashkimi” botoi një numër special me një faqe. Në krye të gazetës ishin fjalët “Enver-Tito” dhe “Tiranë-Beograd”. Nëntitulli i gazetës: “Rroftë vëllazërimi dhe miqësia e popujve të Jugosllavisë me popullin shqiptar”. Titulli i madh: “Populli i kryeqytetit pret me entuziazëm gjeneral-kolonel Enver Hoxhën”.

Enver Hoxha deklaroi në aeroportin e Tiranës:

“Dita e prekjes sonë të madhe me mareshalin Tito, udhëheqësin e madh të popujve heroikë të Jugosllavisë dhe njëkohësisht miku ynë shumë i madh dhe besnik, do të mbetet e paharruar dhe njëkohësisht një ditë e shënuar në historinë e popullit tonë. Pjekja e jonë është simbol i vëllazërimit të madh dhe i miqësisë sonë të ngushtë dhe të sinqertë, është realizimi i ëndrrave të djemve tanë që derdhën gjakun për lirinë e atdheut tonë për një jetë më të lumtur për popullin dhe për të krijuar një vëllazërim dhe një miqësi sa më të ngushtë me popujt e Jugosllavisë.

Kudo ku kaluam në Jugosllavinë deri në fshatrat më të larme të Sllovenisë, ne ndejtëm dhe pamë me sytë tona se sa i madh ishte entuziazmi, sa e thellë ishte dashuria për popullin tonë. Kemi parë me sytë tona të qanin luftëtarë, të prekeshin thellë njerëz politikë të shquar kur flisnin për popullin tonë, për sakrificat tona, për luftën e përbashkët, për djemtë e popujve tanë që dhanë jetën së bashku në beteja të përbashkëta kundër fashizmit. Ne na rezervuar nga udhëheqja e Jugosllavisë së re, nga mareshali Tito, një pritje aq e dashur sa nuk mund të shprehet me fjalë.

Ne popujt vëllezër të Jugosllavisë i kemi miq të mëdhenj nga më të sinqertit dhe këtë miqësi do ta ruajmë si sytë e ballit, ta forcojmë dita-ditës pse ajo është garancia shumë e madhe e mbrojtjes së indipendencës dhe sovranitetit të vendit tonë, është një nga faktorët kryesorë të përparimit të vendit tonë. Pjekja jonë vëllazërore dhe e përzemërt me udhëheqësit e shquar të Jugosllavisë dha natyrisht dhe rezultatet e mëdha që prisnin me padurim populli ynë dhe popujt e Jugosllavisë, çelikosjen për jetë të vëllazërimit dhe miqësisë që ekziston në mes popujve tanë, miqësi që s’do ketë fuqi në botë ta thyejë. Ne e shohim sot të ardhmen tonë me siguri, se kemi miq të fortë e të sinqertë, të cilët na duan me gjithë shpirt dhe me të cilët jemi solidarë deri në vdekje. Prandaj të vëmë të gjitha forcat tona që vëllazërimi mes popullit me popujt e Jugosllavisë të forcohet shumë e shumë për të ardhmen e popullit tonë.

Të rrojë sa malet vëllazërimi dhe miqësia e madhe në mes popullit shqiptar dhe popujve vëllezër të Republikës Federative Popullore të Jugosllavisë! Rrofshin popujt heroikë të Jugosllavisë dhe mareshali Tito. Rroftë populli shqiptar!”

Modifikuar më Saturday, 26 December 2020 12:26
Login to post comments