Nga Kastriot Dervishi
Hazbi Refat Puto, lindur më 1899 në Gjirokastër, banues po këtu, tregtar, me arsim kurs 3 vjeçar në SHBA, arrestuar më 22.4.1946 dhe kapiten Aqif Mehmet Haveriku, lindur në Kavajë në vitin 1910, banues në Gjirokastër, arrestuar më 24.4.1946, bëheshin fajtorë se ishin kryesorët e një organizate. Cilësoheshin “elementë antipushtet” të lidhur me UNRRA-n dhe anglo-amerikanët. Përveç tyre u gjykuan edhe të tjerë. Një proces tërësisht fals dhe i manipuluar. Të dy u dënuan me vdekje, pushkatim.
Ekzekutimi me vdekje u bë më 11.6.1947, ora 22.40 në varrezat e Gjirokastrës, pranë lumit. Pjesëmarrës ishin prokurori Vangjel Kocani, i deleguari i Seksionit të Sigurimit Andrea Miçi, sekretari Bektash Kote dhe mjeku Reshat Kapshtica. Fillimisht u vra Aqifi në sy të Hazbiut. Pas 5 minutash u vra Hazbiu. Në fjalët e fundit ata thanë:
-Hazbi Puto: “Fëmijët, ah fëmijët! Aman fëmijët. Tjetër gjë s’kam ç’të them. Amani mor! Pse më vrisni?”
-Aqif Haveriku: “Eh mor prokuror! Erdhe?! Mirë bëre. Unë jam shqiptar, nuk jam tradhtar. Ti je tradhtar! Unë jam shqiptar dhe do vdes shqiptar. Nuk pranoj të huaj në vendin tim. Një herë kam për të vdekur. Mirë bëtë. Thuaj Bedri Spahiut që aprovoi mendimin tuaj, se s’kam gjë për të thënë, por vetëm sipër në burg, kam lënë dy letra. Ia jepni Bedri Spahiut. Hajdeni, mirë bëtë. Tjetër gjë s’kam për të thënë, veçse më zgjidhni duart”.