Nga Kastriot Dervishi
Dino (Kostandin) Shani, lindur në Stamboll, më 1911, me arsim të plotësuar (shkollën fillore amerikane, tekniken në Tiranë dhe arsimin e lartë, ushtaraken në Itali) kish shërbyer në kohën e Zogut si toger në ushtri. Në vitin 1937 ishte arratisur për çështje personale. Pas një qëndrimi 13 muaj në Itali e 8 muaj në Greqi, vjen në Shqipëri më 15.3.1939 duke u përfshirë sërish në radhët e ushtrisë shqiptare. Kishte ndikuar në këtë mes fakti se babai i Dinos, Mihali, ishte rrobaqepës personal i Mbretit Zog. Me ardhjen e regjimit fashist, Dino kishte qëndruar oficer deri më 15.9.1939, kohë kur u nxor në lirim “për arsye shëndetësore”. Në dhjetor 1940 deri në mars 1944 ka punuar nëpunës në Bankën Kombëtare. Ai ishte ndër personat që kontaktoi me personat e ish misionit ushtarak amerikan që u vendosën në godinën e legatës amerikane në Tiranë, e më pas me ata të misionit jozyrtar të vëzhguesve. Dino punoi si përkthyes i UNRRA-s. U arrestua më 27.9.1946. U akuzuan në bazë të nenit 3 të ligjit nr.372, datë 12.12.1946. Interesante është një ndër akuzat ndaj tij. Prokurori midis të tjerash deklaronte në pretencën e tij: “Është e nevojshme që t’ju vë në dukje jetën personale të të akuzuarit Dino Shani. E kaluara normale e Dino Shanit merret në analizë sikur brenda saj janë veprimtari të shumta agjenturore. Kjo nga vitet e karrierës së tij ushtarake në të cilat ishin përzierë edhe çështje personale e deri te nëntori i vitit 1944 koha kur misioni ushtarak amerikan u vendos në Tiranë ku ishte takuar me Nick Cooky dhe Njohne Okof. ...Më 24 dhjetor 1944 Dino Shani shpie peshqeshin e parë në mision, një tortë me rastin e pashkëve dhe për këtë i jepet si kundradhuratë një peshqesh 1000 franga dhe një pako me cigare”. Dino kishte shërbyer si “informator i paorganizuar” thoshte prokurori. Pas një hetuesie të shpejtë dhe lënie në izolim për dy vjet, ai u dënua me vdekje dhe u pushkatua në Tiranë më 27.4.1948.