Në vitin 1952 nga Kontrolli Postar u ndaluan shumë letra që dërgoheshin nga Shqipëria në drejtim të shteteve të Perëndimit, kryesisht në SHBA. Edhe ndonjë që vinte nga jashtë. Mjafton një lexim i shpejtë aty për të kuptuar se në çfarë katastrofe ndodhej Shqipëria. Ende njerëzit nuk e dinin se këto letra hapeshin e lexoheshin.
-Kosta Qirici nga Bularati i shkruan Anastas Qiricit në SHBA: “Baba, të interesohesh të takosh Nikolla Gogon dhe t’i thuash se djali i tij Stratos ndodhet i internuar me gjithë familjen e tij, me përjashtim të vajzës, të cilën e kemi ne këtu. Ndodhemi te vendi ku ndodhet Petro Jani. Vuajmë shumë nga uria dhe mund të vdesim. Duam ndihma dhe ilaçe”.
-Sherif Edip Goskova nga Goskova i shkruan Amali Goskovës në SHBA: “Një javë më parë na ndodhi diçka, na dogjën shtëpinë. E kishim mbushur me zahire. Edhe dy vjet më parë na morën lëmin, gjysmën e oborrit dhe gurët e shtëpisë. Gjithë këtë luftë na e bën këshilli i fshatit. Na nxorën nga vendi fare. Na lanë si zogu në mes të pellgut”.
-Athina Aleksi nga Jorgucati, i shkruan Harallamb Aleksit në SHBA: “Në rast se s’ke punë atje, eja këtu se ka shumë dhe të marrësh 6 kg misër në muaj. Kaloi ajo kohë kur hante qeni petulla. Sot punëtori ka një rrogë të caktuar prej 3000 mijë lekë në muaj dhe me këtë ai duhet të ushqehet e mbajë familjen”.
-Mehmet Rrapushi në Poloni i shkruan Myzejen Kerit në Tiranë: “Këto ditë do të vijë në Shqipëri një shoku im. Kur të vijë keni kujdes, mos i tregoni gjëra që nuk duhen thënë. Mund t’ju thotë fjalë për mua, por të keni kujdes se i thotë për të provokuar. Të keni kujdes pasi është shok partie dhe ka punuan në Ministrinë e Punëve të Brendshme”.