Një lajm i mirë për të djathtët, intervista bombastike e një ambasadori të SHBA. Nuk ka asnjë dyshim se qëndrimi i Uashingtonit është shumë i rëndësishëm për politikën shqiptare. Por teksa ambasadori amerikan Donald Lu është në largim, sytë dhe veshët e shqiptarëve janë drejt SHBA. Ende nuk dihet se kush do jetë ambasadori i ri i SHBA në Shqipëri, por ambasadori i sapocaktuar i presidentit Donald Trump në Gjermani i ka befasuar të gjithë me deklaratat e tij.
Richard Grenell nuk ka shumë kohë që e ka marrë detyrën, por në një intervistë për platformën e djathtë Breitbart, ai tha se synimi i tij është fuqizimi i të djathtëve në Europë.
Grenell, një aleat i ngushtë i presidentit Trump, është kritikuar fort për këto deklarata, aq sa ai është shprehur se qëllimi nuk ishte që të përkrahë kandidatë ose parti të caktuar.
Por çfarë tha Grenell?
“Ka shumë konservatorë në të gjithë Europën, që më kanë kontaktuar mua dhe më thonë se po ndjejnë një ringjallje të së djathtës”.
“Unë absolutisht dua të fuqizoj konservatorët e tjerë në mbarë Evropën, liderët e tjerë. Mendoj se ekziston një bazë e mirë e politikave konservatore për shkak të dështimit të politikave të së majtës”.
Ai tha se kjo ‘ringjallje’ vjen për shkak të zgjedhjes së Trump, duke shtuar se mbështetja e SHBA do jetë masive.
Më tej, ai tha se është një fans i madh i konservatorit austriak, Sebastian Kurz, një lider i të djathtës. Grenell tha se ai është një ‘rock-star’.
Demokratët shqiptarë kanë shpresuar se me zgjedhjen e Trump, edhe në Shqipëri do të ndryshojë era. Një takim i kryetarit demokrat, Lulzim Basha me Trump, është parë si shenjë e parë e këtyre ndryshimeve.