×

Warning

JUser: :_load: Unable to load user with ID: 44

"I zgjuar", "personalitet", përgëzimet mes Trumpit e Kimit

Tuesday, 12 June 2018 17:16

Presidenti amerikan, Donald Trump dhe lideri i Koresë së Veriut, Kim Jong-un, befasuan gazetarët me nënshkrimin e një dokumenti që nuk ishte planifikuar në axhendën e takimit, pas samitit të Singaporit.

Të dy udhëheqësit u shfaqën në një dhomë të zbukuruar me flamuj të të dy vendeve për ceremoninë e nënshkrimit.

“Të dy jemi shumë të nderuar të nënshkruajmë dokumentin. Faleminderit,” tha shkurt Trump.

Kim nga ana e tij tha se takimi ishte ‘historik’ dhe se të dy udhëheqësit kishin ‘lënë pas të kaluarën’ mes dy vendeve.

“Bota do të shohë një ndryshim të madh,” tha ai. “Unë do të doja të shprehja mirënjohjen time për Presidentit Trump, i cili mundësoi këtë takim”.

Trump e Kim nënshkruan dokumentin, ku zotohen të vendosin marrëdhënie diplomatike midis dy vendeve me një angazhim nga Koreja e Veriut për të denuklearizuar gadishullin Korean.

Katër pikat e Deklaratës Trump-Kim përmbledhtazi:

  1. SHBA-ja dhe Koreja e Veriut angazhohen të krijojnë marrëdhënie të reja mes dy vendeve në përputhje me dëshirën e popujve për paqe dhe prosperitet.
  2. SHBA-ja dhe Koreja e veriut do t’i bashkohen përpjekjeve të tyre për të ndërtuar një regjim të qëndrueshëm dhe të paqtë në gadishullin Korean.
  3. Duke ripohuar Deklaratën Panmunjom të 27 prillit 2018, Koreja e Veriut angazhohet të punojë drejt denuklearizimit të plotë të Gadishullit Korean.
  4. SHBA-ja dhe Koreja e Veriut angazhohen të rikthejnë në SHBA të gjithë trupat e ushtarëve amerikanë të vrarë gjatë konfliktit në Kore, duke nisur me ato që janë identifikuar.

Kur gazetarët pyetën nëse Kim ishte i gatshëm të shkatërronte armët bërthamore, Trump tha se procesi do niste shumë shpejt.

“Ne kemi zhvilluar një lidhje shumë të veçantë,” tha Trump, duke shtuar se samiti doli më mirë se çdokush mund të kishte parashikuar.

Kur u pyetën nëse ai do e ftonte Kim në Shtëpinë e Bardhë, Trump tha, “Absolutisht që po.”

Pas nënshkrimit, palët u shfaqën përsëri duke rrokur duart.

Trump foli shkurtimisht për gazetarët pas shtrëngimit të duarve, duke pohuar se do të takohej me Kim “shumë herë” duke thënë se ai kishte një “personalitet të madh” dhe ishte “shumë i zgjuar”.

“Një kombinim i mirë,” shtoi ai, duke e përshkruar atë si “një negociator shumë të denjë, shumë të zgjuar”.

“Ne patëm një ditë të mahnitshme dhe mësuam shumë për njëri-tjetrin dhe për vendet tona”, tha Trump.

Kur u pyet se çfarë mësoi rreth Kim, Trump u përgjigj: “Mësova se ai është një njeri shumë i talentuar. Unë gjithashtu mësova se ai e do vendin e tij shumë.”

“Kemi pasur një takim me të vërtetë fantastik. Ka shumë përparim. Me të vërtetë, shumë pozitiv, më mirë se çdokush mund të kishte pritur. Ne po shkojmë tani për të nënshkruar deklaratën” u tha Trump gazetarëve.

Trump dhe Kim kanë kaluar rreth pesë orë së bashku në takime të ndryshme, duke përfshirë një periudhë prej 40 minutash bashkëbisedim mes dy udhëheqësve. 

Modifikuar më Tuesday, 12 June 2018 19:14
Login to post comments