Numri i të vdekurve nga zjarret në pyje që u vërsulën drejt vendpushimeve bregdetare pranë kryeqytetit grek Athinë është rritur në 82, ndërsa numri i të plagosurve arriti në 187, tha të enjten zëdhënësja e Brigadës së Zjarrfikësve, Stavroula Malliris.
Gjatë së mërkurës u identifikuan 61 prej tyre. Ndërkohë skuadrat e shpëtimit po shkojnë derë më derë në kërkim të trupave dhe nuk është çudi që bilanci i viktimave të rritet akoma më shumë, pasi një numër i madh personash konsiderohen ende të zhdukur.
Ministri i Mbrojtjes Panos Kammenos, së bashku me kryebashkiakun Rafina-Pikermi Evangelos Bournous dhe Shefin e Shtabit të Përgjithshëm të Forcave Ajrore vizituan sot zonat e prekura nga zjarret vdekjeprurëse në Atikën Lindore.
Në një takim të mbajtur më parë gjatë ditës, Bournous njoftoi se 25% e shtëpive në zonë, rreth 1500 në total janë shkatërruar terësisht, 50 për qind janë dëmtuar pjesërisht dhe 25 për qind janë të paprekura.
Kryebashkiaku i Rafinës i kërkoi Ministrit të siguronin staf dhe të hapnin çerdhe, në mënyrë që fëmijët e vegjël të kalonin kohën dhe të harronin momentet e vështira që përjetonin. Ai gjithashtu kërkoi ndihmën e ushtrisë për të rindërtuar palestrën në Neos Voutzas.
Kryebashkiaku deklaroi se nëse nuk do të ishte për ushtrinë të ndalonte zjarrin në kampin e Agios Andreas, zjarri do të kishte djegur të gjithë zonën.
Nga ana e tij, Kammenos tha se qëllimi i ministrisë është të kontribuojë në restaurimin e plotë të zonës.
Ai theksoi se mbrojtja nga përmbytjet është shumë e rëndësishme dhe ushtria do të kontribuojë menjëherë.
Ai tha se plani i qytetit duhet të ndryshohet dhe rrugët duhet të hapen duke i dhënë akses në det, në mënyrë që asnjë viktimë tjetër të mos vritet në të ardhmen.