Në Gjermani ka dyshime për lidhje të ekstremit të djathtë me policinë. Përplasjet e dhunshme në Chemnitz rezulton të kenë qenë pasoje e rrjedhjes së informacionit mbi mandatarrestin e përgatitur për një irakian të konsideruar si i dyshuari kryesor i vrasjes së një 35-vjeçari gjerman.
Policia në Chemnitz është përballur me një rrebesh kritikash, sepse nuk ishte e mirë përgatitur për protestat e demonstruesve ksenofobë mbrëmjen e së dielës, në vazhdën e goditjes fatale me thikë të viktimës së identifikuar vetëm si Daniel H..
Plot 6.000 vetë u mblodhën për të ngritur zërin ndaj të huajve, duke marrë shkas nga ky episod, e 1.500 protestues kundërshtarë iu vunë përballë.
Situata degjeneroi shpejt në dhunë dhe trazirat vazhduan deri mbrëmjen e së hënës. Në slogane që disa i përshkruajnë si reminishenca të erës naziste, disa nga tubuesit thërrisnin: një i huaj i vdekur për çdo gjerman të vdekur!