Kriza e refugjatëve ka tensionuar vendet e BE-së, ku Italisë i është dashur që të kalojë barrën më të madhe, dhe për këtë shkak nuk kanë munguar as akuzat në drejtim të vendeve të tjera.
Ministri i brendshëm Salvini ka reaguar ashpër ndaj presidentit të Francës, pasi ai kundërshtoi takimin e italianit me Orban, duke i quajtur ata nacionalistë.
“Nuk do të bëj asnjë lëshim ndaj nacionalistëve, dhe atyre që predikojnë urrejtje, kanë të drejtë që më shohin si kundërshtarin e tyre kryesor në Evropë”, u shpreh Macron gjatë ditës së djeshme.
Ndërkohë nga ana tjetër reagimi i Salvinit ka qenë dhe më i ashpër, ku ka kërkuar që Franca të hapë kufijtë.
“Që nga fillimi i 2017 e deri më sot, Franca e ‘Macronit të mirë’ ka sprapsur më shumë se 48 mijë refugjatë në kufirin me Italinë, përfshirë gra dhe fëmijë. Kjo është Evropa mikpritëse dhe solidare, për të cilën flasin Macron dhe të mirët e tjerë?
Në vend që t’u japë leksione të tjerëve, do e ftoja presidentin hipokrit francez që të rihapë kufijtë dhe të presë me mijëra refugjatët që kishte pretenduar se do i mbante. Italia nuk është më kampi i refugjatëve i Evropës, dhurata e perëndisë për skafistët dhe të mirët e Evropës ka marrë fund!”– shkruan ai.