Emri i Maqedonisë përveç një referendumi të vështirë të thirrur nga qeveria e Zoran Zaev më 30 shtator, do të duhet të kaloj edhe mes sfidave si protestat e mëdha greke në Selanik. Një e tillë, ku janë regjistruar edhe episode dhune dhe përplasje me policinë ka ndodhur sot përpara godinës së Bashkisë në Selanik.
Protesta në fillim ishte e qetë, por ajo degjeneroi në dhunë, kur qindra njerëz të shkëputur nga mesi i turmës kryesore të demonstruesve sulmuan bashkinë e qytetit, me slogane kundër kryebashkiakut të Selanikut, Janis Boutari dhe kryeministrit, Aleksis Tsipras.
Rreth 50 persona të maskuar hodhën fishekzjarrë, gurë dhe objekte të tjera në drejtim të policisë. Këta të fundit përdorën gaz lotsjellës për t’i zmbrapsur protestuesit, ndërsa fotot nga mediat greke tregojnë qendrën e qytetit të mbushur me tym.
Incidentet shpërthyen pas orës 07:00 në kryqëzimin e rrugëve Manolis Andronikos III dhe “Vellidio”, ku gjenden qindra oficerë policie, pasi aty do të mbajë një fjalim kryeministri Tsipras.
Protesta ndër të tjera lidhej edhe me shprehjen e kundërshtimit ndaj masave ekonomike të ndërmarra nga qeveria.