Partia më e madhe opozitare në Maqedoni, VMRO-DPMNE, vendosi të martën në mbrëmje që t’i lërë përkrahësit e saj të vendosin sipas bindjeve të tyre personale lidhur me referendumin e 30 shtatorit.
Kryetari i VMRO-së, Hristijan Mickovski, megjithatë tha në një konferencë për gazetarë pak para mesnate se qytetarët e dinë më së miri se çfarë dëshiron t’u thotë ai.
“Ne mbetemi në qëndrimin kundër marrëveshjes me Greqinë, sepse kjo ndryshon Kushtetutën dhe identitetin institucional. I humbasim të gjitha pozicionet dhe argumentet, që kemi arritur shumë kohë përpara. Vendosni me zemër sipas bindjeve tuaja, ne do të përkulemi para vendimit tuaj!” - u shpreh Mickovski. Ai nënvizoi nga ana tjetër se vet pyetja që do të shtrohet në referendum është manipulative dhe shumëkuptimëshe.
Mickovski tha se partia e tij është për integrimin e vendit në Bashkimin Evropian dhe NATO dhe se “ato janë miqtë tanë”.
Ai akuzoi qeverinë e zotit Zaev dhe zyrtarë të lartë qeveritarë për shpërdorime të mjeteve financiare dhe kurdisje të tenderave.
Qëndrimi i VMRO-së duket të jetë zbutur pas takimit që Kancelarja gjermane Angela Merkel pati me drejtues të saj gjatë vizitës së të shtunes në Shkup.
Po ashtu, disa drejtues të tjerë shtetërorë e politikë nga vende dhe organizata evropiane si dhe nga SHBA kanë ardhur ditëve të fundit në Shkup për të mbështetur referendumin dhe për të bindur kundërshtarët e tij se vetëm me ndryshimin e emrit, Maqedonia mund të bëhet pjesë e Aleancës Veriatlantike dhe të integrohet në BE.
Në këtë kuadër, të enjten në Shkup pritet të vijë Ndihmës-Sekretari amerikan i Shtetit Ues Mitchell.
Ndërkohë, të mërkurën Shkupin do ta vizitojë presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, i cili do të pritet nga kryeministri Zoran Zaev.