Vetëm pak ditë para zgjedhjeve parlamentare, militantë talebanë kanë vrarë së paku 22 forca të sigurisë, përfshirë edhe një shef rajonal policie, në sulme të ndara ndaj postblloqeve të sigurisë në dy provinca afgane, kanë thënë të dielën zyrtarë afganë.
Talebanët kanë shtuar sulmet në provincat strategjike në betejën e tyre për të dëbuar forcat e huaja, të rrëzojnë qeverinë e mbështetur nga Perëndimi dhe të rikthejnë versionin e tyre të ligjit të ashpër islamik, raporton Reuters.
Në provincën perëndimore të Farahut, luftëtarët talebanë vranë 21 trupa në dy postblloqe në rajonin Posht-e Rud.
Talebanët zunë rob 11 ushtarë tjerë dhe morën armë e municion, shtoi Gul Ahmad Faqiri, pjesëtar i këshillit provincial të Farahut, transmeton Koha.net.
Abdul Samad Salehi, pjesëtar i këshillit provincial në Farah, konfirmoi numri e të vdekurve dhe tha se trupat që po mbronin bazën nuk patën asnjë përkrahje ajrore apo tokësore.
Talebanët morën përsipër sulmin, që është i fundit në sulmet pothuajse ditore ndaj forcave afgane të sigurisë.
“Luftëtarët tanë kanë vrarë shefin policor dhe 25 ushtarë afganë në dy provinca të shtunën mbrëma”, ka thënë zëdhënësi i tyre, Zabiullah Mujahidhe, në një deklaratë për media.