Zgjerimi i programit nxitës të investitorëve të huaj, e njohur si “vizat e arta” është ndër prioritetet e Ministrisë së Ekonomisë dhe Zhvillimit të Greqisë.
Në një konferencë shtypi mbi planin e Ministrisë gjatë dy muajve të ardhshëm, Stergios Pitsiorlas, zëvendësministri i Ekonomisë dhe Zhvillimit tha se është hartuar një projekt-ligj i ri, i cili do të zgjerojë programin e “vizave të arta”, për dhënien e lejeve të qëndrimit për blerësit e pronave në Greqi.
Sipas projektligjit të ri, leje qëndrimi do t’iu ofrohet edhe investitorëve që shpenzojnë 400,000 euro në obligacione ose aksione të kompanive të pasurive të paluajtshme ose në depozita bankare të vendit, shkruan media greke ekathimerini.
Vizat gjithashtu do t’u ofrohen investitorëve të huaj që vendosin 800,000 euro (926,000 dollarë) në obligacionet e qeverisë greke.
Përkundër zbatimit të gjerë të skemave të ngjashme nga shumë vende europiane, ka një kundërshtim të fortë ndaj programit, veçanërisht nga Europa veriore, për shkak të shqetësimeve që këto programe punojnë si një portë për kriminelët jashtë Bashkimit Europian.