Gjermania pritet të blejë më shumë gaz natyror të lëngshëm (LNG) nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, shkruan gazeta amerikane, “Wall Street Journal”.
Këtë muaj, kancelarja gjermane Angela Merkel i tha një grupi ligjvënësish se qeveria e saj kishte vendosur të bashkëfinanconte ndërtimin e një linje të transportit të linjës LNG prej 500 milionë eurosh (576 milionë dollarë) në Gjermaninë veriore, sipas raportit të gazetës.
Gjermania është duke blerë shumicën e gazit të saj nga Rusia. Merkel ka lobuar për zgjerimin e tubacionit të ‘Nord Stream 2’ që do të dyfishonte kapacitetin ekzistues të eksportit të gazit në Gjermani, pavarësisht presionit nga Uashingtoni.
Presidenti i SHBA-ve, Trump, ka këmbëngulur se Berlini është ‘rob’ i Moskës dhe do të bëhej i varur nga eksportet ruse kur të vihej në zbatim tubacioni. Gjatë bisedimeve të fundit me ligjvënësit e saj, Merkel e përshkroi ndryshimin e mendjes si një vendim ‘strategjik’, shkruan ‘Wall Street Journal’.