Shtrirja e mafies italiane në Sllovaki trondit presidentin e këtij shteti

Tuesday, 23 October 2018 19:10

Presidenti i Sllovakisë, Andrej Kiska, është shprehur i tronditur rreth shtrirjes dhe ndikimit që ka mafia italiane në këtë shtet. Ai e ka shprehur alarmin në një vështrim të publikuar në një gazetë sllovake, duke iu referuar raportit të inteligjencës sllovake, raport ky të cilin e kishte autorizuar vetë, pas vrasjes së një gazetari hulumtues në këtë shtet.

Gazetari Jan Kuciak, bashkë me të fejuarën, ishin vrarë në shtëpinë e tij gjatë shkurtit, në atë që prokurorët e kanë quajtur vrasje e kontraktuar. Ai kishte qenë duke u marrë me hulumtimin e akuzave se biznesmenë italianë në Sllovakinë Lindore po shfrytëzonin në mënyrë të paligjshme subvencionet e BE-së për bujqësi, transmeton Koha.net.

Vrasja e tij ka nxitur protestat më të mëdha në historinë pas-komunizmit në Sllovaki, duke rezultuar me riformatizim të qeverisë dhe dorëheqje të kryeministrit të kamotshëm të këtij shteti, Robert Ficos, në muajin mars.

“Raporti që kam pranuar më ka shokuar”, shkruan Kiska në vështrim, duke iu referuar raportit të SIS-së.

Ai ka bërë të ditur se në këtë raport ka pasur emra personash dhe firmash të përfshira në mashtrimin me subvencione dhe marrëveshje rreth tokave gjatë dhjetë viteve të kaluara.

“E rezultati? Asgjë. Heshtje”, shkruan ai. “Nuk ka pasur arrestime, nuk ka pasur veprim të policisë”.

Kiska ka thënë se nëse informatat në raportin e SIS-së ishin të vërteta, atëherë kishte vetëm një arsye për mungesën e veprimeve.

“Këta persona ishin mbuluar nga mafia shtetërore, policët dhe politikanët që qëllimisht nuk kanë ndërmarrë hetime dhe i kanë fshehur gjërat”.

SIS nuk ka dashur të komentojë.

Modifikuar më Tuesday, 23 October 2018 19:53
Login to post comments