Zëvendëspresidenti Mike Pence tha të martën se vdekja e gazetarit disident saudit Jamal Khashoggi "nuk do të kalojë pa një përgjigje amerikane" dhe se drejtorja e CIA-s është në Turqi për të shqyrtuar provat.
Zoti Pence nuk pranoi të thoshte se çfarë veprimi ndëshkues mund të ndërmarrin SHBA në përgjigje të vrasjes së gazetarit dhe kritikut saudit që shkruante për Uashington Postin, i cili vdiq më 2 tetor në Konsullatën Saudite në Stamboll. Arabia Saudite ka thënë se ai u vra gjatë një grindjeje në konsullatë.
Duke iu referuar komenteve të presidentit turk Tayyip Erdogan, i cili tha të martën paradite se vrasja ishte e paramenduar, nënpresidenti Pence shtoi se ajo i rrëzon në sy të gjithë botës pohimet e mëparshme të regjimit saudit.
“Kjo vrasje brutale e një gazetari, e një njeriu të pafajshëm ose e një disidenti nuk do të kalojë pa një përgjigje amerikane,'' tha Pence. Ai tha se ndoshta do të ketë edhe një përgjigje ndërkombëtare.
I pyetur nëse SHBA do të sanksiononte anëtarët e familjes mbretërore të Arabisë Saudite, nëse vërtetohet se ata kanë qenë bashkëpjesëmarrës, zoti Pence tha se ky është një vendim që i takon të merret nga Presidenti Donald Trump. Ai tha se presidenti do të marrë një vendim që pasqyron vlerat dhe interesat e sigurisë kombëtare të vendit dhe gjithashtu të "sigurojë që bota do të mësojë të vërtetën."
Zoti Pence, i cili foli në Uashington në një aktivitet të organizuar nga gazeta Washington Post, tha se çfarëdo përgjigje e SHBA që presidenti do të vendosë të ndërmarrë, do të mbajë parasysh rëndësinë e marrëdhënieve të SHBA me Arabinë Saudite - një aleancë që ai tha se ekziston që nga periudha menjëherë pas Luftës së Dytë Botërore.
Ai nuk pranoi të thoshte nëse kishte parë ndonjë material zbulimi që e lidhte princin e kurorës saudite me vrasjen.
"Unë di se kur të kthehet drejtorja e CIA-s, ajo do të informojë presidentin, atë vetë dhe gjithë ekipin tonë për atë që kanë mbledhur turqit", tha zoti Pence për vizitën e drejtores së CIA-s Gina Haspel në Turqi./VOA/