SHBA sinjalizon se do të tërhiqet nga traktati INF

E Enjte, 25 October 2018 18:19

Presidenti rus Vladimir Putin priti të martën një të dërguar të lartë të Shtëpisë së Bardhë, pasi SHBA konfirmoi synimin e Presidentit Donald Trump për të dalë nga një traktat i rëndësishëm bërthamor mes akuzave për shkelje të marrëveshjes.

Takimi i këshilltarit amerikan të Sigurisë Kombëtare Xhon Bolton me udhëheqësin rus mbylli dy ditë bisedime me zyrtarët e lartë të Kremlinit që synonin hapjen e rrugës për tërheqjen e Shteteve të Bashkuara nga Traktati i Forcave Bërthamore për armët me rreze të mesme.

Marrëveshja e arritur midis presidentit Ronald Reagan dhe udhëheqësit sovjetik Mikhail Gorbaçov në vitin 1987, kërkonte eliminimin nga Evropa të të gjitha raketave bërthamore dhe konvencionale, me rreze të mesme e të afërt veprimi, të lëshuara nga toka– që në atë kohë zotëroheshin nga dy superfuqitë më të mëdha të botës.

Tani për tani, SHBA-ja ende nuk ka dalë zyrtarisht nga marrëveshja. Megjithatë këshilltari Bolton nuk la asnjë dyshim se masa ishte e afërt.

"Traktati INF është injoruar dhe vjetëruar. Është një traktat i Luftës së Ftohtë për një botë multipolare", tha ai.

Presidenti Trump e ka justifikuar tërheqjen duke theksuar historitë e kohëve të fundit të shkeljeve ruse – një akuzë që Moska i është kundërvënë vazhdimisht.

"Rusia, për fat të keq, nuk e ka nderuar marrëveshjen," tha zoti Trump, në komentet në një tubim politik gjatë fundjavës. "Pra, ne do ta ndërpresim marrëveshjen dhe do të tërhiqemi".

"Deri sa njerëzit të vijnë në vete - ne kemi më shumë para se çdokush tjetër, shumë më shumë", shtoi udhëheqësi amerikan.

John Bolton u bëri jehonë këtyre arsyeve para gazetarëve në Moskë.

"Çështja e shkeljeve ruse është problem i thellë që ka vazhduar për shumë kohë," tha ai, duke vënë në dukje se shkeljet ruse ishin ngritur edhe nga administrata Obama.

"Kërcënimi nuk është tërheqja e Amerikës nga traktati, por raketat ruse tashmë të dislokuara”, tha zoti Bolton.

Garë e Re Armatimesh?

Duke filluar nga presidenti Putin, zyrtarët e Kremlinit kanë paralajmëruar në mënyrë të përsëritur se çdo dislokim i ri i armëve amerikane që rezultojnë nga prishja e traktatit do të ndeshet me masa të ngjashme nga ana e Rusisë.

Shkëmbime të tilla deklaratash kanë shqetësuar aleatët kryesorë evropianë, duke përfshirë Gjermaninë dhe Francën, të cilët kanë frikë se mund të ketë një kthim në ditët e Luftës së Ftohtë, kur Evropa shërbeu si një terren për garën bërthamore midis dy superfuqive botërore.

Aleatët e tjerë amerikanë, si Polonia dhe Anglia, kanë shprehur mbështetje për këtë veprim.

Por vendimi i SHBA-së, ka lidhje më tepër me zgjerimin e kapaciteteve ushtarake të vendeve që nuk përfshihen në INF - si Kina dhe Irani.

"Gati 50 për qind e raketave kineze sot do të përbënin shkelje të traktatit INF," argumenton zoti Bolton, dhe shton se SHBA është vendi i vetëm i kufizuar nga traktati INF ".

 

Thënie dhe Kundërthënie

Në Moskë, debati është përqendruar nëse Kremlini në heshtje e ka arritur qëllimin duke nxitur tërheqjen amerikane nga INF- në vend të zgjerimit të mëvonshëm të NATO-s në Evropën Lindore.

"Për Rusinë, është e dobishme që në arsenalin e saj të ketë një kategori armësh bërthamore dhe strategjike për të luftuar kërcënimet rajonale pa pengesat mbi arsenalin strategjik që kanë si pikësynim SHBA," argumenton analisti i pavarur Vladimir Frolov në botimin online Republic.

"Është një arritje e madhe diplomatike për Vladimir Putin," shton ai.

"Është trishtuese," kundërshtoi aktivisti i opozitës Vladimir Milov në një post në Facebook. "Triliona dhe triliona do të hidhen në erë. Sistemi dhjetëra-vjeçar i sigurisë globale po shkatërrohet para syve tanë dhe nuk do të jetë e lehtë të ringjallet", tha ai.

Sido që të jetë, Kremlini dukej i etur për vizitën e John Boltonit - i dyti në 4 muajt e fundit - si një shenjë e vullnetit për dialog, pavarësisht akuzave të vazhdueshme për ndërhyrje të Rusisë në zgjedhjet presidenciale amerikane të vitit 2016.

"Ne mezi u përgjigjemi masave tuaja, por ata vazhdojnë ", tha presidenti Putin, duke bërë shaka me zotin Bolton para kamerave në Kremlin gjatë një reference për sanksionet amerikane dhe ruse lidhur me akuzat e vazhdueshme për ndërhyrje në zgjedhje.

Nga ana tjetër, zoti Bolton argumentoi se veprimet e Rusisë nuk kishin ndryshuar rezultatin e garës 2016. Përkundrazi, ato thjesht kishin vështirësuar përparimin në marrëdhëniet SHBA-Rusi.

Të dy palët, vuri në dukje John Bolton, kanë bërë përparim në rivendosjen e bashkëpunimit në luftën kundër terrorizmit, në zhvillimet në Siri dhe Korenë e Veriut. Dhe, Presidenti Trump e kishte pranuar ofertën e Vladimir Putinit për t'u takuar në nëntor në Paris ku do të mblidhen udhëheqësit botërorë me rastin e 100 vjetorit të armëpushimit në përfundim të Luftës së Parë Botërore.

Por varet shumë nga mënyra se si Shtetet e Bashkuara i shohin aktivitetet kibernetike ruse përpara një sezoni politik tashmë të ngarkuar, kur amerikanët shkojnë në votime më 6 nëntor për zgjedhjet për Kongres.

Varësisht se si gjërat shkojnë, paralajmëroi zoti Bolton, qëndrimi i Shteteve të Bashkuara mund të ndryshojë menjëherë.

Login to post comments