Presidenti Donald Trump fajësoi të hënën shtypin se po nxit zemërim në vend, ç’ka rezultoi në aktin e vrasjes në masë në një sinagogë, si dhe në dërgimin e pakove-bombë kritikëve të presidentit.
Kundërshtarët politikë të presidentit fajësojnë atë për ndarjet e thella në shoqërinë amerikane, që janë shkaktuar nga retorika e tij e ashpër kundër demokratëve të opozitës, imigrantëve të paligjshëm dhe atyre që kundërshtojnë politikat e tij.
Presidenti u shpreh në një postim në Twitter se “Ekziston një zemërim i madh në vendin tonë, i shkaktuar pjesërisht nga lajmet e pasakta dhe shpesh herë mashtruese. Shtypi i Lajmeve të Rreme, që është Armiku i vërtetë i Popullit, duhet të heqë dorë nga armiqësia e hapur dhe e dukshme dhe të raportojë me saktësi dhe drejtësi. Kjo do të kontribuonte shumë për të shuar flakët e Zemërimit dhe Inatit dhe atëhere do të ishim në gjendje t’i sillnim të gjitha palët bashkë në Paqe dhe Harmoni. Lajmet e Rreme Duhet të Ndalojnë!”
Disa orë para këtij postimi, presidenti kishte thënë të djelën vonë se “Lajmet e Rreme po bëjnë gjithshka munden për të fajësuar republikanët, konservatorët dhe mua për ndarjet dhe urrejtjen që ka ekzistuar për një kohë të gjatë në vendin tonë. Por janë lajmet e Rreme dhe të Pandershme që shaktojnë probleme shumë më tepër se sa ata mund ta marrin me mend!”