VMRO-DPMNE partia opozitare maqedonase në Kuvend ka dorëzuar propozim-ligjin për amnisti për të gjithë personat, që janë përfshirë në ngjarjet e dhunshme të 27 prillit të vitit të kaluar në Kuvendin e Maqedonisë.
Sipas propozim-ligjit të VMRO-DPMNE-së parashikohet që të gjithë të dënuarit, të akuzuarit dhe të dyshuarit e rastit të 27 prillit të amnistohen. "Propozim-ligji është dorëzuar me procedurë të shkurtuar, presim që deputetët e pozitës të jenë konstruktiv në debate dhe të tregojnë se premtimet e tyre nuk janë gënjeshtër kur premtojnë drejtësi dhe pajtim kombëtar. I bëjmë apel edhe kryeministrit Zaev të jetë më aktiv në miratimin e ligjit për amnisti”, deklaroi koordinatori i grupit parlamentar të VMRO-DPMNE-së Dragan Danev. Sipas deputetit Danev me këtë propozim- ligj sigurohet drejtësi për të gjithë, pajtim i vërtet kombëtar në vend të drejtësisë selektive të cilën e propozon LSDM-ja.
"Nëse propozimi për amnistimin e të involvuarve tanë në ngjarjet e 27 Prillit me procedurë të shpejtë nuk kalon në Kuvend do të thotë se qeveria dëshiron të zbatojë drejtësi selektive, një lojë në drejtim për t'i kënaqur ata deputetë që pranuan t'i përkrahin politikat kapitulluese që dalin nga Marrëveshja e Prespës”, thotë zëdhënësi i VMRO-DPMNE-së Naum Stoilkovski. Me ligjin për amnisti parashihet dhe rregullohet mënyra e lirimit nga ndjekja penale, ndalja e hetimeve dhe lirimi i plotë nga mbajtja e burgut.
LSDM: Ligji për amnisti është ndërhyrje në sistemin gjyqësor
Nga LSDM-ja vlerësojnë se propozim-ligji për amnisti është një ndërhyrje brutale në sistemin e drejtësisë. Nuk guxojmë të lejojmë që për zënka partiake ta rrënojnë parimin e sundimit të së drejtës thonë nga LSDM. "Propozimi i kryesisë anti-perëndimore të VMRO-DPMNE-së, është ndërhyrje brutale në gjyqësi. Si parti përgjegjëse dhe shtetformuese jemi që ta respektojmë principin e shtetit të së drejtës dhe në këtë drejtim mund të flasim për shtrirje të dorës, mund të flasim për pajtim, por në asnjë mënyrë nuk mund të flasim për amnisti, që de-fakto është ndërhyrje në sistemin gjyqësor”, thotë deputeti i LSDM-së Konstadin Kostadinov.
Ligjin për amnisti e miraton parlamenti me 61 vota, ndërkaq si propozues mund të jetë qeveria, një deputet, grup deputetësh, me mbledhjen e 10 mijë nënshkrimesh e kështu me radhë. Për incidentin në Kuvend më 27 prill të vitit 2017 akuzohen 33 persona, 31 nga të cilët përgjigjen për rrezikim terrorist të rendit kushtetues të shtetit, ndërsa dy për nxitje. Në Gjykatën Penale në Shkup edhe krahas propozim ligjit për amnisti vazhdon gjykimi për ngjarjet në Kuvendin e Maqedonisë më 27 prill të vitit të kaluar. Ndërkohë që deputetët e opozitës maqedonase kanë propozuar ligjin për amnisti, partitë e mazhorancës me propozim të kryeministrit Zoran Zaev kanë inicuar formimin e komisionit për pajtim, formimi i të cilit nuk do të ndërhynte në kompetencat e sistemit gjyqësor.