Moti i keq, 8 viktima në Itali. Shtyhen udhëtimet nga Shqipëria drejt Barit

Tuesday, 30 October 2018 09:38

8 të vdekur, një i zhdukur, shumica viktima të pemëve të thyera: situata në rajonet më të prekura prej motit të keq në Itali është dramatike.

3 të vdekur u regjistruan në Lacio e një në Kampania; dy janë jetët e humbura në Frozinone për shkak të një peme të përplasur mbi makinën me të cilën udhëtonin. Moti ekstrem ka shkaktuar probleme thuajse në të gjithë vendin, shkruan “Corriere della Sera”, me shira të rrëmbyer, përmbytje, erëra që mbërrinin shpejtësinë 100 km/h e në disa zona ka pasur edhe tromba të mirëfillta ajri.

Në qytete të ndryshme, duke nisur nga Roma, shkollat u mbyllën të hënën e nuk do të hapen as gjatë ditës së sotme. Kulmin e saj, furia e motit, sipas Mbrojtjes Civile, e arriti pasditen e një dite më parë, me reshje të rrëmbyera në të gjithë veriun e vendit, sidomos në alpe.

Ndërhyrjet e zjarrfikësve kanë mbërritur një nivel rekord: 1 600 vetëm të hënën, shumica ishin në Toskanë; alarmi i kuq do të vazhdojë të mbetet në fuqi edhe sot për rajonet më të goditura: Veneto, Friuli, Venecia, Xhulia, Trentino Alto Adixhe, Lombardi dhe Liguria.

Edhe Venecia u përball me një baticë frikësuese që përmbyti gati 70% të qendrës historike të saj. Shpresat janë që situata të qetësohet disi më vonë gjatë ditës.

Problemet e motit në Itali janë bërë shkas për vonesa të mëdha të lëvizjes së trageteve nga Bari drejt Durrësit. Ndërkohë, Kapiteneria e Përgjithshme i ka dërguar një urdhër autoriteteve të 4 porteve në vend, pasi do të ketë një përkeqësim të situatës në det përgjatë 48 orëve të ardhshme. Kërkohet që të ndalohet lëvizja e mjeteve të vogla në det. Po njoftohen të gjitha agjensitë, tragetet, peshkarexhat dhe anijet e transportit të mallrave për situatën e përkeqësuar dhe të marrin masa.

Login to post comments