"Zonja Merkel nuk është e dobët, ajo është e fortë"

E mërkurë, 31 October 2018 08:44

Kancelarja Merkel është kryetarja më e suksesshme e qeverisë në Evropë që prej më shumë se një dekade. Kancelarja vazhdon të jetë mjaft e fortë, i thotë Presidenti i Bundestagut, Wolfgang Schäuble DW në Conflict Zone 

Tim Sebastian:Zoti Schäuble, a është ky fillimi i fundit të zonjës Merkel?

Wolfgang Schäuble: Varet si e përkufizoni fundin. Sot në mëngjes ajo tha në kryesinë e partisë, unë jam pjesë e kryesisë së partisë, të CDU-së, se në kongresin e partisë nuk do të kandidojë më si kryetare e partisë, por se periudhën e mandatit ajo dëshiron ta përfundojë, siç ka premtuar edhe para zgjedhjeve të fundit, pra për periudhën e plotë, por se më 2021 ose në zgjedhjet e ardhshme të përgjithshme nuk është më në dispozicion si kandidate për kancelare dhe nuk do të kandidojë më as për Bundestagun.

Por sa kohë mund ta mbash Zyrën Kancelarore në rrethana të tilla?

Periudha legjislative zgjat edhe tre mua...tre vjet. Nëse do të jetë kështu, këtë duhet ta shohim. Mark Twain ka thënë: parashikimet janë të vështira, veçanërisht në lidhje me të ardhmen. I don‘t know.

Si mendoni ju?

Unë mendoj se pozicioni i kancelarit federal ose e kancelares federale në kushtetutën tonë është shumë i fortë, dhe ky është mësim nga dështimi i Republikës së Vajmarit. Ne kemi pasur gjithmonë shumica negative, për ta rrëzuar dikë, por jo shumica pozitive, dhe prandaj Ligji Themelor i Gjermanisë vendosi që një kancelar që e kanë zgjedhur njëherë, mund të rrëzohet vetëm kur shumica e anëtarëve të Bundestagut zgjedh një person tjetër si kancelar. Kjo nuk është shumë realiste, gjithsesi jo kundër dëshirës së zonjës Merkel, në Bundestag nuk ka një shumicë dhe prandaj kjo është në dorën e saj dhe ajo është e vendosur dhe besoj...se do t'ia dalë mbanë.

Si i shpjegoni humbjet e thella në Hessen?

Epo, për to ka një sërë shkaqesh, ato edhe dje u...

A mban faj për to zonja Merkel?

 

Ajo mban faj edhe për to. Këtë ajo e tha vetë, por janë disa shkaqe, disa zhvillime, që mbulojnë njëra-tjetrën. Sistemi perëndimor i demokracisë, i demokracisë parlamentare, reprezentative është kudo në Evropë, edhe në SHBA dhe jo së fundi në Mbretërinë e Bashkuar nën stres. Kemi zhvendosje të konsiderueshme. Supozimi im është se një shkaqet kryesore është ndryshimi në teknologjitë e komunikimit. Ndryshimi i komunikimit ndryshon jo vetëm mediet, ai ndryshon strukturat ekonomike, ndryshon shoqërinë dhe politikën dhe kësaj i shtohet edhe globalizimi dhe ne kemi të bëjmë me të gjitha këto, gjë që nuk është kaq e thjeshtë. Ky është njëri shkak. Shkaku tjetër është se për çdo sistem, sistem njerëzor pas një kohe të gjatë të suksesshme është e pashmangshme të tregojë edhe dobësi ose simptoma lodhjeje. Kjo edhe në arkitekturë nuk është e ndryshme, prandaj na duhet t'i riparojmë shumë ndërtesa pas tridhjetë vjetësh.

Po pasardhësit për postin e saj?

Në rregull, tani partia do të zgjedhë një kryetar të ri partie, për këtë...

Ajo ka filluar.

Kjo është e qartë kur mbajtësja e deritashme e postit bën të ditur se nuk do të kandidojë më në dhjetor, kur është kongresi i partisë dhe atëherë nis spekulimi se kush do të jetë pasardhësi, kjo është demokraci e gjallë. Këtë do ta përballojmë. Kongresi i partisë është në Hamburg në dhjetor dhe deri atëherë do ta dimë se kush do të bëhet.

Sa e dobët është ajo tani si...

Zonja Merkel nuk është e dobët. Zonja Merkel është e fortë dhe e mori këtë vendim në mënyrë sovrane.

Por është më e dobët se ka qenë. Kjo është e qartë.

Ajo është kryetarja e qeverisë më e suksesshme në Evropë që prej më shumë se një dekade. Ky është sukses i jashtëzakonshëm. Kaq e fortë sa ka qenë ndoshta në kulmin e kësaj kohe të suksesshme, sot ajo nuk është më patjetër. Kjo është e qartë nga rezultatet e zgjedhjeve, por në krahasim me të tjerët, prandaj ka rëndësi gjithmonë me se e krahason, ajo vazhdon të jetë mjaft e fortë.

Lidhja për intervistën gjermanisht: https://p.dw.com/p/37LzN

 

Login to post comments