Kuvendi komunal i Podgoricës ka miratuar propozimin e kryebashkiakut të kryeqytetit malazez, Ivan Vukoviq që në Podgoricë t’i ngrihet përmendore ish-liderit jugosllav, Josip Broz Titos.
Vendimin e tillë e kanë mbështetur asamblistët e partisë në pushtet dhe dy asamblistë të Lëvizjes Qytetare, URA.
Vukoviq ka thënë se nisma për ngritjen e një përmendoreje të tillë nuk paraqet jugonostalgji, por dëshmi se Mali i Zi i mbetet besnike orientimit anti-fashist, raporton RTCG, transmeton Koha.net.
“Antifashizmi në Mal të Zi vazhdon dhe shteti nuk e ka ndërmend të largohet prej asaj rruge”, ka thënë Vukoviq. Ai ka shtuar se në kohën e Titos, regjimi nuk ka qenë demokratik, por alternativat kanë qenë shumë më të këqija.