Trafiku i armëve ka vrarë 45000 persona çdo vit në Afrikë dhe ushqen konfliktet rajonale në perëndim të kontinentit, sipas një studimi të publikuar nga “Small Arms Survey”, për periudhën 2012-2017.
“Në gjithë Afrikën, regjistrohen 140000 vdekje dhe vrasje në vit të lidhura me konfliktet e armatosura, nga të cilat 45000, ose një e treta e vdekjeve të dhunshme, janë shkaktuar nga përdorimi i armëve të zjarrit”, thekson Matthias Nowak, hulumtues në “Small Arms Survey”, një qendër kërkimesh i lidhur me Institutin e Studimeve të Larta dhe të Zhvillimit në Gjenevë, shkruan ATSH.
“Armët e vjedhura nga arsenalet kombëtare që kanë nivele të ulëta sigurie ushqejnë shumë flukse të paligjshme armësh në Afrikën e Perëndimit. Trafikantët furnizohen me lehtësi falë prodhimit artizanal të armëve të zjarrit dhe rifutjes në qarkullim të armëve të lehta”, sipas këtij raporti.
Kriza libiane e shkaktuar nga rënia e Muamar Gedafi në 2011, luan një rol të madh në trafiqet dhe destabilizimin e rajonit të Sahelit që prej fillimit të kësaj dekade.