Takimi i planifikuar të zhvillohej të enjten mes sekretarit amerikan të Shtetit Mike Pompeo dhe një zyrtari të lartë të Koresë së Veriut në Nju Jork është shtyrë për një datë të mëvonshme.
Departamenti i Shtetit nuk dha ndonjë arsye rreth këtij anulimi. Pritej që dy diplomatët të diskutonin lidhur "me përparim në të katër shtyllat e deklaratës së përbashkët të takimit të Singaporit, përfshirë mbritjen tek çarmatimi i plotë dhe i verifikueshëm bërthamor" i Koresë së Veriut.
Udhëheqësi i Phenianit Kim dhe Presidenti amerikan Donald Trump nënshkruan një marrëveshje në takimin e tyre historik të muajit qershor për çarmatosjen bërthamore të Gadishullin Korean, por palët kanë patur mosmarrëveshje lidhur me ritmin që ka ndjekur Pheniani për t'i dhënë fund programit të tij të armëve bërthamore.
Javën e kaluar Koreja e Veriut paralajmëroi se do të konsiderojë ringjalljen e programit të armëve bërthamore nëse Shtetet e Bashkuara nuk heqin sanksionet kundër regjimit që po dëmtojnë ekonominë e vendit.
Pheniani kërkon gjithashtu një traktat paqeje me Uashingtonin dhe Seulin që do t'i jepte fund zyrtarisht Luftës Koreane të viteve 1950-53 që ndau Veriun komunist nga Jugu demokratik.