Nga Henry Ridgwell (VOA)
Të dielën më 11 nëntor është njëqind vjetori i nënshkrimit të armëpushimit që i dha fund Luftës së Parë Botërore, një konflikti në të cilin u vranë rreth 40 milionë njerëz. Shtetet e Bashkuara hynë në luftë më 1917 pasi i shpallën luftë Gjermanisë dhe në vitin pasues dhanë kontributin e tyre të rëndësishëm për ta kthyer konfliktin në favor të aleatëve. Ndërhyrja amerikane shënoi fillimin e përfshirjes së thellë të Amerikës në sigurinë evropiane - por siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës Henry Ridgwell nga fushat e betejës së luftës në Francë, disa frikësohen se sakrifica e Shteteve të Bashkuara është duke u harruar.
Përgjatë shtatëqind kilometrave të ish Frontit Perëndimor, me ceremoni të ndryshme po shënohet njëqind vjetori i përfundimit të konfliktit që traumatizoi dhe transformoi botën.
Përfshirja e Shteteve të Bashkuara erdhi vonë por ishte jetike në rritjen e fuqisë dhe moralit të Aleatëve. Më 26 shtator 1918, ushtria e Shteteve të Bashkuara filloi ofensivën në Argonne, të drejtuar nga gjenerali amerikan John Pershing. Kjo ishte beteja më vdekjeprurëse në historinë e ushtrisë amerikane deri më sot.
"Në thelb, në ditët e para, fitoret ishin relativisht të mira. Ato nuk ishin të nivelit që dëshironte gjenerali Pershing, por relativisht të mira. Por pastaj gjermanët dërguan përforcime", thotë historiani Randy Gaulke.
Zoti Gaulke është ciceron i fushëbetejave, të cilat zbulojnë plagët dhe rrënojat e luftës që ende janë të pranishme në vijat e frontit, si ky stacion treni gjerman me binarë të ngushtë në buzë të Varennes-en-Argonne, që është përdorur për të furnizuar rrjetin e llogoreve dhe pozicionet e artilerisë.
Ofensiva 47-ditore në Argonne rezultoi në marrjen nën kontroll të qindra kilometrave katrorë. Ndërsa divizionet franceze dhe britanike po përparonin, Gjermania e kuptoi se humbja ishte e pashmangshme, dhe nënshkroi armëpushimin më 11 nëntor të vitit 1918. Armët heshtën.
Varennes ishte ndër qytetet e para të çliruara në ofensivën Argonne, që u morën nën kontroll nga trupat amerikane. Tani ky është një vend pelegrinazhi për vizitorët amerikanë, përfshirë grupin që po aktron skenat e betejave për të shënuar njëqindvjetorin e përfundimit të luftës. Alan Crane është pjestar i grupit të aktrimit.
"Në Shtetet e Bashkuara, Lufta e Parë Botërore është lënë në hije për shkak të Luftës së Dytë Botërore".
"Unë kam të afërm të cilët sinqerisht erdhën këtu me idenë për ta bërë botën më të sigurt për demokracinë. Ata erdhën me ideale shumë të larta", thotë Tom Jordan.
Mbi 116 mijë amerikanë u vranë në Luftën e Parë Botërore. Më shumë se 14,000 janë varrosur në Varrezat amerikane në Meuse-Argonne.
Lufta e Parë Botërore ishte hera e parë që Shtetet e Bashkuara dislokuan një numër të madh trupash për të mbrojtur një territor të huaj. Deri në fund të luftës në vitin 1918, në tokën franceze kishte rreth dy milionë ushtarë amerikanë.
Pavarësisht nga sakrificat e saj, Amerika kishte ndjenja kontradiktore për rolin e saj në qëndrueshmërinë dhe sigurinë evropiane pas luftës, thotë historiani William Philpott.
"U deshën disa vite. Evropa nuk u qetësua, kishte më shumë probleme mes Francës dhe Gjermanisë veçanërisht në lidhje me dëmshpërblimet. Dhe këtu financimi amerikan filloi të luante një rol në çështjet ndërkombëtare", thotë William Philpott nga Kings College në Londër.
Fuqitë botërore përsëri do të luftonin me njëra-tjetrën në vitin 1939. Fuqia ushtarake amerikane u bë vendimtare për sigurinë evropiane.
"Ne e shohim atë (Amerikën) duke u ndërtuar për të mposhtur fashizmin, dhe më pas për të ruajtur Evropën nga kërcënimi i Bllokut Lindor. Megjithëse fuqia amerikane ka ndryshuar pas së Luftës së Ftohtë, ne ende e shohim se Amerika ka ruajtur kapacitetin për të projektuar fuqinë në nivel global dhe vepruar si polic i botës."
Për Amerikën si një komb, ky rol është nën kërcënim pasi fuqitë rivale po përpiqen të sfidojnë epërsinë e Shteteve të Bashkuara.
Për Amerikën si një popull, njëqindvjetori i armëpushimit që i dha fund Luftës së Parë Botërore ofron një shans për të kujtuar etërit dhe bijtë që kurrë nuk u kthyen në vend, nga një luftë që disa frikësohen se është duke u harruar.