Debati për pensionet në Greqi – Zyrtarët e BE-së thirrje qeverisë për stabilitet

E Enjte, 08 November 2018 07:12

Zyrtarët evropianë i kanë bërë thirrje qeverisë greke që të përqendrohet në ruajtjen e stabilitetit financiar dhe atij politik, në një kohë kur debatet për shkurtimin e pensioneve janë intensifikuar.

Një zyrtar i BE tha për ‘Ekathimerini’, se pas daljes nga paketa ndërkombëtare e shpëtimit në gusht dhe marrëveshjes së saj të borxhit me kreditorët, Greqia ka hyrë në një lloj ‘moratoriumi’ 10-vjeçar në të cilin është mbrojtur në mënyrë efektive nga ‘presionet e jashtme’.

“Megjithatë, për të mbetur e mbrojtur, Greqia duhet të sigurojë që dy faktorë kryesorë nuk preken: stabiliteti ekonomik dhe politik”, u shpreh zyrtari.

Zyrtarët e Komisionit Evropian kanë njohur perspektivat premtuese të ekonomisë greke dhe kanë shprehur bindjen e tyre se shumica e partive politike të vendit nuk do të kërkojnë të rrezikojnë daljen e Greqisë nga kriza e saj financiare.

Sa i përket çështjes kontestuese të pensioneve, përfaqësuesit e KE-së shprehën besimin se do të arrihet një kompromis për këtë çështje në samitin e jashtëzakonshëm të ministrave të Financave të Eurozonës që do të mbahet më 19 nëntor.

Login to post comments