Partia Popullore Europiane voton sot në Helsinki për kandidatin kryesor në zgjedhjet për Parlamentin Europian në maj 2019. Sipas të gjitha gjasave, ai do të jetë gjermani Manfred Weber.
Sot Partia Popullore Europiane vendos në Helsinki se cili do të jetë kandidati kryesor i saj në zgjedhjet e majit 2019. Kandidati me shanse më të mëdha është Manfred Weber,i cili konkurron me rivalin e tij finlandez, Alexander Stubb. Por kush është Manred Weber?
Në krye të grupit më të madh në Parlamentin Europian, Manfred Weber, erdhi në vitin 2014. Ai konsiderohet si njeri i kompromisit, që mundohet me zë të ulët ta mbajë të bashkuar grupin e tij. Spektri i 219 deputetëve në Partinë Popullore Europiane është i madh: nga hungarezët djathtistë e deri te belgët liberalë.
Me pikëpamjet e tij proeuropiane, Weber dallon edhe nga partia e vet, Unioni Kristiansocial i Bavarisë (CSU). Prandaj edhe në zgjedhjet e fundit të vitit 2014, CSU nuk donte ta vinte as si kandidat. Në çështjen e migracionit ai diti të manovronte me zgjuarsi herë duke anuar nga pozicioni i kancelares dhe kryetares së CDU-së, Angela Merkel, e herë nga ana e ministrit të brendshëm dhe kryetarit të CSU-së, Horst Seehofer. Manfred Weber mbajti në fraksion edhe njëmbëdhjetë anëtarët e partisë hungareze antieuropiane Fidesz, megjithë kritikën masive nga shumë anë.
Merkel e mbështet
Por atë e mbështet kancelarja gjermane, Angela Merkel. Pa këtë mbështetje, shanset e Weberit për t'u shpallur si kandidati kryesor në zgjedhjet europiane do të ishin thuajse zero. Flitet se Merkel është marrë vesh për këtë me presidentin francez, Macron. Sepse, sipas shumë gjasave, kush del fitues i zgjedhjeve për Parlamentin Europian, bëhet kryetar i Komisionit të BE-së. Nëse ky post kaq i rëndësishëm zihet nga Gjermanët, atëherë në krye të Bankës Qendrore Euoropiane do të vihet një francez. Por zyrtarisht Angela Merkel nuk shprehet për këtë karuzel personeli në Bruksel.
Sikurse shumë politikanë të BE-së, edhe Manfred Weber ka problemin se atë nuk e njohin shumë njerëz jashtë qarqeve të Brukselit dhe qarkut të votimit të tij në Bavari. Shumë përfaqësues të vendeve të vogla gjermane, pavarësisht nga personi i Manfred Weber-it, e vënë në dyshim idenë që kryetari i Komisionit të jetë gjerman. Ata kanë frikë se kështu shteti më i fuqishëm i BE-së mund të bëhej dominant për ta. Prej vitit 1967 nuk ka qenë më asnjë gjerman në krye të Komisionit. Asokohe ishte Walter Hallstein, i cili nuk kandidoi për herë të dytë, për shkak të presionit të Francës.
Manfred Weber është katolik dhe e ka bërë karrierën në partinë rajonale bavareze dhe është anëtar në shumë instanca udhëheqëse të kësaj partie. Në vitin 1996 ai themeloi një firmë këshillimore për çështje të teknikës së mjedisit, të cilën vazhdon ta udhëheqë edhe sot, sipas të dhënave të tij në uebfaqen e Parlamentit Europian. Këtu ai hyri në vitin 2004, pas një stacioni të shkurtër si deputet në Parlamentin e Landit.
Kritikuesit e tij dyshojnë në aftësitë e tij për të qenë pasardhës i Juncker-it, si kryetar i Komisionit. Sepse ai nuk ka pasur asnjëherë asnjë post qeveritar, ndryshe nga kryekomisionerët e deritanishëm, Juncker, Barroso ose Prodi, të cilët kanë qenë të gjithë kryeministra të vendeve të tyre dhe e njihnin nga brenda biznesin e Këshillit të BE-së.
Jo automatizëm
Por, zgjedhja si kandidat kryesor i Partisë Popullore Europiane, nuk do të thotë automatikisht kryekomisioner. Për shkak të rritjes së numrit të populistëve të djathtë në të gjithë Europën, nuk dihet ende se si mund të jetë përbërja e Parlamentit Europian, që do të dalë nga zgjedhjet e majti 2019. Me gjasë, që konservatorët dhe socialdemokratët të mos e arrijnë dot maxhorancën dhe që ato të kenë nevojë për një forcë të tretë. Socialdemokratët kanë thënë që tani se ata nuk do të votojnë për Manfred Weberin nëse ky do të kandidojë për kryetar komisioni.
Dhe e paqartë është edhe se si do të sillet partia e re e presidentit francez Emmanuel Macron, "En Marche", në parlamentin e ardhshëm. Macron ka thënë se nuk do të ketë automatizëm ndërmjet kandidatit kryesor dhe presidentit të Komisionit. Të drejtën e propozimit për këtë post e kanë vetë shtetet anëtare. Pra, Manfred Weber, është ende në fillim të një fushate të madhe zgjedhore së cilës nuk i dihet fundi. Shansi i tij që të zëvendësojë me të vërtetë presidentin e deritanishëm, Jean-Claude Juncker , që ka qenë 20 vjet kryeministër dhe flet katër gjuhë të huaja, nuk janë shumë të mëdha. Por ndoshta në fund mund t'i jepej si ngushëllim një tjetër post tjetër i lartë, si për shembull ai i kryetarit të Parlamentit Europian. Bernd Riegert/DW