Eksportet gjermane ranë papritmas në muajin Shtator, duke tkurrur suficitin tregtar, ndërkohë që barrierat tregtare me Shtetet e Bashkuara po ngadalësojnë motorin e ekonomisë më të madhe të Europës.
Zyra Federale e Statistikave deklaroi se eksportet, të përshtatura ndaj efekteve sezonalë, ranë me 0.8% në Shtator, ndërsa importet ranë me 0.4%.
Suficiti tregtar i Gjermanisë u tkurr në 17.6 miliardë euro nga 18.2 miliardë që u regjistrua në muajin Gusht.
Sipas ekonomistëve, ngadalësimi i tregtisë globale së bashku me faktorë të përkohshëm si normat e reja të ndotjes për makinat, kanë goditur eksportet e Gjermanisë gjatë muajit.
Zyra Federale e Statistikave pritet të publikoi javën e ardhshme të dhënat për Produktin e Brendshëm Bruto në tremujorin e tretë. Konfliktet tregtare nga jashtë dhe tensionet politike brenda vendit, po japin ndikim në ekonominë e varur nga tregtia, që ndodhet tashmë në vitin e 9 radhazi të ekspansionit.
Shpenzimet konsumatore janë kthyer së fundmi në nxitës të rëndësishëm për ekonominë Gjermane, ndërkohë që eksportet janë dobësuar.
Konsumatorët po përfitojnë nga niveli rekord i ulët i papunësisë, rritja e pagave reale, sigura më e lartë në punë dhe krediti i lirë për shkak të politikave lehtësuese monetare në Eurozonë.
Megjithatë, shumë institucione ekonomike kanë bërë të ditur se Gjermania me shumë mundësi është ngadalësuar në tremujorin e tretë.
Më herët gjatë javës, zyra e Statistikave publikoi të dhënat për prodhimin industrial, që tregoi rritje të papritur gjatë Shtatorit.