Ish-bashkëpunëtori i Agjencisë amerikane të Sigurisë Kombëtare (NSA), Edward Snowden, ka thënë të enjten se për vëzhgimin e gazetarit të vrarë saudit, Jamal Khashoggi, ishte përdorur teknologjia, të cilën e zhvillon kompania izraelite NSO.
Snowden, duke folur nëpërmjet një videolidhjeje prej një lokacioni të panjohur në Rusi para pjesëmarrësve të një konference për siguri kombëtare, e akuzoi kompaninë NSO se shet mjete për vjedhje digjitale dhe tha se këto mjete tani nuk po përdoren ekskluzivisht për arrestimin e të akuzuarve për krime dhe për pengimin e sulmeve terroriste, por edhe për përfitime parash deri “në atë masë sa shkaktohen edhe humbje jetësh”.
Snowden tha se përgjimi i thirrjeve telefonike dhe i emailave të qytetarëve të caktuar mund të ndikojë që agjencitë e sigurisë të prodhojnë vendime të gabuara në lidhje me rastet e ndërlikuara.
“Vëzhgimet nuk po bëhen në emër të sigurisë, por për të pasur kontroll mbi gjërat”, ka thënë Snowden. Ai paralajmëroi po ashtu se ekziston mundësia që kompanitë private të vëzhgimit dikur të kenë fuqi marramendëse kontrolli mbi jetët e qytetarëve të thjeshtë dhe se qeveritë këtë gjë nuk do të mund ta mbajnë nën frerë.