Me mijëra banorë po evakuohen në Kaliforninë e Veriut, për shkak të zjarreve që kanë përfshirë pyjet dhe që po përhapen me shpejtësi drejt zonave të banuara. Zjarri, që nisi orët e para të së enjtes pranë Camp Creek është ndihmuar edhe erërat e forta dhe thatësia në pyje. Lagje të tëra, shkolla e spitale janë evakuuar, ndërsa disa prej banorëve në qytetin e Paradise mbetën të bllokuar nga flakët.
Autoritetet thonë se ka raportime ende të pakonfirmuara për viktima. Deri më tani, sipas BBC, flakët kanë shkatërruar rreth 20 mijë hektarë. Era me shpejtësi 80 kilometra në orë, bëri që zjarri të merrte përmasa të mëdha në vetëm pak orë, duke i detyruar disa prej banorëve që të braktisnin shtëpitë apo makinat, në mënyrë që t’i shpëtonin flakëve.
Nga ana tjetër, në jug në Ventura County pranë Los Angeles, erërat e forta po e bëjnë të vështirë përpjekjet për të vënë nën kontroll një tjetër zjarr masiv.
Autoritetet kanë urdhëruar evakuimin e banorëve në veri të Kalifornisë, në qytetin e Paradise, ku jetojnë rreth 26 mijë banorë, ashtu sikurse edhe në Magalia, Concow, Butte Creek Canyon dhe në zonat e Butte Valley. Ndërkohë, shërbimet e emergjencës vijojnë punën për t’u ardhur në ndihmë personave që kanë mbetur të bllokuar.