Kërkesë për azil/ Autoritetet amerikane prezantojnë rregullin e ri

Premte, 09 November 2018 11:56

Administrata e presidentit amerikan, Donald Trump ka njoftuar se sipas një vendimi të ri, migrantët e paligjshëm që kanë hyrë në Shtetet e Bashkuara përmes kufirit jugor, nuk do të mund të kërkojnë më azil.

Vendimi, që është bërë i ditur nga Departamenti amerikan i Drejtësisë dhe ai për Siguri të Brendshme, u ndalon kërkesën për azil atyre personave që shkelin ndonjë kufizim presidencial gjatë hyrjes.

Sipas deklaratës, presidenti mund të ndalojë migrimin duke e arsyetuar vendimin me “interes kombëtar”.

Çështja e migrimit ka qenë temë në fokus të Trumpit edhe gjatë fushatës për zgjedhjet e këtij muaji që janë mbajtur në Kongres.

Duke sulmuar atë që tani njihet si karavan migrantësh nga Amerika Qendrore, i cili tashmë ka arritur në Meksikë, Trump ka urdhëruar shtim të trupave në kufi dhe ka konsideruar migrantët si “pushtim”.

Ushtruesi i detyrës së Prokurorit të Përgjithshëm, Matthew Whitaker dhe shefja për Siguri të Brendshme, Kristjen Nielsen kanë dhënë detaje për atë që është cilësuar si Rregulli Final i Përkohshëm, shkruan rel.

Rregulli nuk do të zbatohet në mënyrë retroaktive, derisa presidenti Trump pritet ta nënshkruajë atë shumë shpejt.

Sipas ligjit amerikan, autoritetet kanë obligim ligjor të shqyrtojnë kërkesat për azil nga migrantët, në rast se ata përmendin dhunë apo shqetësime tjera, të cilat i kanë shtyrë të ikin nga vendet e tyre.

Login to post comments