Presidenti Donald Trump nderoi sot trupat amerikane, franceze dhe të aleatëve të tjerë që humbën jetën gjatë Luftës së Parë Botërore.
Ai foli gjatë një vizite në Varrezat dhe Memorialin Amerikan Suresnes pranë Parisit në prag të Ditës së Veteranëve, përpara se të kthehet në Uashington DC.
"Jemi mbledhur në këtë vend të shenjtë pushimi për të respektuar amerikanët trima që dhanë frymën e fundit në atë luftë të fuqishme", tha presidenti.
Më shumë se 1.500 amerikanë që vdiqën gjatë luftës janë varrosur në këto varreza. Presidenti Trump është kritikuar që nuk shkoi për të vizituar një varrezë tjetër amerikane pranë Parisit të shtunën. Moti me shi nuk lejoi udhëtimin me helikopter që ishte planifikuar dhe vizita u anulua.
Presidenti Donald Trump ishte ndër udhëheqësit botërorë që morën pjesë në ceremoninë e organizuar në Paris për të shënuar 100 vjetorin e Luftës së Parë Botërore. Në fjalën e tij, Presidenti francez Emmanuel Macron tërhoqi vëmendjen tek rreziku i rikthimit të nacionalizmit dhe bëri thirrje për ruajtjen e trashëgimisë së paqes të vulosur me gjakun e të rënëve.
60 kryetarë shtetesh dhe qeverish u mblodhën sot në një ceremoni tek Varri i Ushtarit të Panjohur, një simbol i sakrificës së miliona njerëzve që vdiqën gjatë viteve 1914 – 1918.
Ceremonitë filluan në orën e saktë kur 100 vjet më parë, më 11 nëntor 1918, pushuan armët e luftës në Francën perëndimore.
Udhëheqësit e shumicës së vendeve që dërguan ushtarë në frontin e perëndimit, ndër ta edhe Presidenti amerikan Donald Trump, qëndruan në heshtje për të nderuar sakrificën e të rënëve.
Asnjë ushtar që mori pjesë në Luftën e Parë Botërore nuk jeton më sot. Në atë kohë, ajo u quajt “lufta që do t’i jepte fund të gjitha luftërave”. Por, konflikti global shpërtheu sërish vetëm 20 vjet më pas me viktima dhe dëme të paprecedenta.
Presidenti Macron foli për sakrificat e një shekulli më parë gjatë katër viteve të masakrës në Evropë. Ai u bëri thirrje udhëheqësve të botës të bashkohen në "luftën për paqen".
"Le të ndërtojmë shpresat tona, dhe jo frikën ndaj njëri-tjetrit. Së bashku, ne mund të shmangim kërcënimet - spektrin e ngrohjes globale, varfërisë, urisë, sëmundjeve, pabarazisë dhe injorancës. Ne jemi angazhuar në këtë luftë dhe mund ta fitojmë atë. Le ta ndjekim këtë rrugë sepse fitorja është e mundur ".
Ndërsa u pa të shtrëngonte duart me Presidentin rus Vladimir Putin gjatë ceremonisë, Presidenti Trump anulloi një vizitë të planifikuar për ditën e djeshme në një varrezë ushtarakësh amerikanë pranë Parisit. Në një deklaratë të Shtëpisë së Bardhë thuhet se vizita u anullua për shkak vështirësive logjistike të shkaktuara prej kushteve të motit.
Pati kritika në mediat sociale që Presidenti Trump qëndroi në Paris pa planifikuar aktivitete të mëtejshme, ndërkohë që transmetoheshin pamje gjatë ditës të Presidentit francez Emmanuel Macron dhe Kancelares gjermane Angela Merkel në vendin ku aleatët fitimtarë dhe Gjermania humbëse nënshkruan marrëveshjen që i dha fund luftës.
Udhëheqësit e Ballkanit në ceremonitë e Parisit
Nëpër botë të dielën po shënohet dita e përfundimit të Luftës së Parë Botërore. Armëpushimi I para një shekulli hyri në fuqi më 11 nëntor të vitit 1918, duke i dhënë fund kështu luftës katërvjeçare, që la pas vetes të paktën 10 milionë ushtarë dhe miliona civilë.
Franca, epiqendra e konfliktit të parë botëror, është mikpritëse e ceremonisë ndërkombëtare, në të cilën po marrin pjesë më shumë se 60 udhëheqës botëror.
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, presidenti rus, Vladimir Putin, kancelarja gjermane, Angela Merkel, janë në mesin e udhëheqësve botërorë që po marrin pjesë në ceremoninë që filloi në orën 11, të ditës së 11-të të muajit të 11-të, përfshirë presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi dhe atë të Serbisë, Aleksandër Vuçiç.
Të dy ata morën pjesë edhe në darkën e së shtunës të organizuar nga presidenti francez, Emanuel Macron.
Ata shtrënguan duart me njëri tjetrin por, nuk ka pasur ndonjë bashkëbisedim më të gjatë ndërmjet tyre, ndonëse ishte paralajmëruar mundësia që të ketë një takim të ndërmjetësuar nga presidenti francez.
Të dielën ata shpërndanë rrjetet sociale postime për takime me udhëheqës botërorë, duke veçuar përshëndetjet me presidentin amerikan, Donald Trump.
Presidenti Thaçi tha se ka falënderuar presidentin Trump, “për mbështetjen amerikane për Kosovën dhe rolin e saj vendimtar për lirinë, pavarësinë dhe shtetndërtimin. Në këtë periudhë të rëndësishme për Kosovën ishte inkurajuese të dëgjoj se presidenti Trump mbështet “100 për qind arritjen e një marrëveshjeje ligjërisht të detyrueshme ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, shkroi ai.
Në një postim tjetër ai tha se ka biseduar shkurt me kancelaren gjermane Angela Merkel, për arritjen “e marrëveshjes paqësore gjithëpërfshirëse ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”.
“Të dy jemi pajtuar se mbështetja e Gjermanisë është qenësore për këtë marrëveshje dhe për anëtarësimin tonë në Bashkimin Evropian”, shkroi ai.
Presidenti serb, Vuçiç, tha se ka marrë lëvdata nga presidenti amerikan për popullin serb, ndërsa i kushtoi vëmendje të posaçme takimit të tij me kancelaren gjermane, Angela Merkel, e cila është më e zëshmja deri tash kundër ideve për ndryshimin e kufijve në procesin e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Në një njoftim të zyrës së tij, thuhet se presidenti serb e ka informuar kancelaren Merkelin për rrjedhën e bisedimeve me Kosovën, duke vënë theksin tek taksa shtesë e vendosur nga Kosova ndaj mallrave nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina.
Ishte kjo taksë që mbizotëroi takimin e fundit ndërmjet presidentit të Kosovës Hashim Thaçi dhe presidentit serb, Aleksandër Vuçiç, i cili tha se nuk do të ketë vazhdim bisedimesh derisa kjo nuk hiqet.
Të martën, qeveria e Kosovës vendosi taksën në shenjë kundërshtimi ndaj sic u tha, fushatës agresive të Serbisë ndaj shtetësisë së Kosovës.
Serbia vazhdon të kundërshtoja pavarësinë e Kosovës, që u shpall në shkurt të vitit 2008 me mbështetjen e Shteteve të Bashkuara dhe vendeve kryesore të Bashkimit Evropian. Por ajo është përfshirë në një proces bisedimesh për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën, që është kusht për integrimet evropiane të të dyja palëve.
Por, procesi i bisedimeve që u vu nën hijen e ideve për ndryshime kufijsh, po ngecë me gjithë paralajmërimet se fillimi i vitit të ardhshëm do të duhej të ishte periudhe e përmbylljes së një marrëveshjeje ndërmjet të dyja vendeve.