Presidenti amerikan, Donald Trump, sapo u kthye në Uashington të hënën pasi shënoi 100 vjetorin e fundit të Luftës së Parë Botërore në Paris, kritikoi ashpër Evropën për shpenzimete mbrojtjes dhe për sufiçitin tregtar mbi Shtetet e Bashkuara.
Zoti Trump, në një sërë komentesh në Twitter shkruante se “ishte arritur shumë” në takimet e tij me udhëheqësit e tjerë botërorë. Por ai tha se nuk ishte “asnjëherë e lehtë të hapej tema se Shtetet e Bashkuara duhet të trajtohen me drejtësi, gjë që nuk është bërë, si nga ana ushtarake, ashtu edhe tregtare”.
Udhëheqësi amerikan vazhdonte se “ne paguajmë shuma TË MËDHA për mbrojtjen ushtarake të vendeve të tjera, qindra miliarda dollarë, për privilegjin e madh të humbjes së qindra miliarda dollarëve me të njëjtat vende në tregëti”.
Zoti Trump shtoi se u kishte thënë udhëheqësve “kjo gjendje nuk mund të vazhdojë dhe se “është dhe gjithmonë kaq qenë jashtëzakonisht e padrejtë ndaj Shteteve të Bashkuara. Sasi të mëdha parash të shpenzuara për mbrojtjen e vendeve të tjera dhe ne nuk marrim në këmbim asgjë tjetër veçse defiçite tregëtare dhe humbje. Ka ardhur koha që këto vende shumë të pasura, ose të paguajnë Shtetet e Bashkuara për mbrojten ushtarake që ajo siguron, ose të mbrojnë vetveten … dhe tregtia duhet të jetë E LIRË dhe E DREJTË!”
Presidenti Trump e ka deklaruar veten “nacionalist” me një botëkuptim ku Amerika vjen e para, në marrëdhëniet ndërkombëtare.Por të dielën në Paris, në ceremonitë me rastin e 100 vjetorit të Luftës së Parë Botërore. Presidenti francez Emmanuel Macron, ndërsa zoti Trump dëgjonte pranë tij, e denoncoi nacionalizmin në rritje në gjithë botën, duke e quajtur atë “një tradhëti ndaj patriotizmit”.
Që kur u bë president para dy vjetësh, zoti Trump është ankuar vazhdimisht se shumë aleatë evropianë nuk e kanë plotësuar objektivin e NATO-s që deri në vitin 2024, të shpenzojnë dy për qind të ekonomive të tyre kombëtare për mbrojtjen, kryesisht për armë dhe forcat e armatosura.