Vazhdojnë kërkimet për trupa mes “ferrit” kalifornian

Tuesday, 13 November 2018 18:53

Autoritetet në Kaliforni vazhdojnë kërkimet për më shumë se 200 njerëz që rezultojnë të zhdukur, ndërsa zjarre të fuqishëm kanë përfshirë pjesën veriore dhe jugore të shtetit. Numri i të vdekurve ka arritur në 42. Sipas korrespondentit të Zërit të Amerikës Mike O'Sullivan, më shumë se 220 mijë persona janë detyruar të zhvendosen si pasojë e zjarrit që ka shdërruar në hi me mijëra shtëpi e biznese.

Vatra zjarresh të fuqishme vazhdojnë të djegin qytetin e Malibusë dhe qendra të tjera bregdetare pranë Los Anxhelosit. Mes ndërtesave të shkatërruara janë dhe shtëpitë e disa personaliteteve të famshëm amerikanë, mes tyre aktorja dhe këngëtarja Miley Cyrus.

Në veri të Sacramentos, pjesa dërrmuese e qytetit Paradise, me 27 mijë banorë është shkatërruar nga zjarri ndërkohë që autoritetet vazhdojnë detyrën e vështirë për gjetjen e trupave të të zhdukurve.

Të hënën, autoritetet e strukturave kundër zjarreve pranë Los Anxhelosit njoftuan për vatra të reja zjarri.

"Brenda një ore, patëm dy vatra të reja zjarri. Natyrisht ai godet shtëpi. Ne jemi ende në kushtet e një moti që e favorizon zjarrin ndaj dhe vatrat ekzistuese nuk janë shqetësimi ynë i vetëm"- Mark Lorenzen, shefi i departamentit të zjarrit në kontenë Ventura.

Banorët e zhvendosur po përpiq të marrin veten pas shkatërrimit.

"Lagje të tëra janë zhdukur. Shtëpia e vajzës sime e vjerrës së saj….çdo shtëpi është zhdukur. "- thotë Elizabeth Gorman.

Zjarrfikësit vazhdojnë kërkimet nën rrënojat e ndërtesave që digjen dhe raportojnë përparim në disa zona. Por sipas tyre dy vatra të mëdha zjarri janë ende jashtë kontrollit ndërsa parashikohet shtimi i erërave dhe një mot i thatë.

Login to post comments