Presidenti turk Erdogan ka ftuar homologun amerikan, Donald Trump, që të vizitojë Turqinë në vitin 2019, sipas një deklarate të Shtëpisë së Bardhë. Ndër çështjet kryesore që përballen dy vendet aleate të NATO janë konflikti në Siri pas lajmërimit të Trump të tërheqjes së trupave amerikane, pasojat e vrasjes së gazetarit Khashoggi në Stamboll dhe kërkesat e Turqisë për të ekstraduar klerikun nga Shtetet e Bashkuara.
Administrata turke bëri të ditur se Trump dhe Erdogan kanë rënë dakord nëpërmjet një telefonate ditën e Shtunë, që të bashkëpunojnë për tërheqjen e trupave amerikane nga Siria. Erdogan e mirëpriti vendimin e Trump javën e kaluar, që ka ndryshuar rrënjësisht politikat amerikane në rajon. Trump dhe Erdogan kanë pasur qasje të ndryshme ndaj vrasjes së gazetarit Jamal Khashoggi në datën 2 Tetor.
Trump ka thënë se do të qëndrojë në anën e Qeverisë së Arabisë Saudite dhe liderit de fakto Mohamed bin Salman, pavarësisht vlerësimeve të CIA se princi me shumë gjasa ka urdhëruar vrasjen. Erdogan është përpjekur të sjellë vëmendje ndërkombëtare te vrasja e Khashoggi dhe ka vënë theksin te princi. Trump ka thënë muajin e kaluar se nuk konsideron të ekstradojë klerikun Fethullah Gulen, të cilin Turqia e fajëson për grushtin e shtetit të vitit 2016.