Pompeo: Sauditët të angazhuar për përgjegjëshmëri në vrasjen e zotit Khashoggi

Hënë, 14 Janar 2019 18:48

Sekretari amerikan i Shtetit Mike Pompeo thotë se Mbreti Saudit Salman dhe Princi i Kurorës Mohammed bin Salman pranuan se dikush "duhet të marrë përgjegjësinë" për vrasjen e gazetarit Jamal Khashoggi. Sekretari Pompeo foli të hënën pas takimit me udhëheqësit sauditë në Riad.

Diplomati më i lartë amerikan tha se mbreti dhe princi i kurorës "përsëritën angazhimin e tyre" për të mbajtur përgjegjës ata që vranë Khashoggin pasi ai hyri në konsullatën saudite në Stamboll të Turqisë në tetor.

Fillimisht Arabia Saudite tha se ai u largua menjëherë nga konsullata, por më vonë pranoi se Khashoggi u vra atje, në atë që zyrtarët sauditë e cilësuan si një operacion që doli jashtë kontrollit.

Turqia tha se urdhëri për të vrarë gazetarin e Uashington Postit erdhi nga nivelet më të larta të qeverisë saudite, por zyrtarët sauditë pohojnë se nuk u urdhërua nga Princi i Kurorës.

Në dhjetor, Senati amerikan e kritikoi ashpër Arabinë Saudite, duke fajësuar princin e kurorës për vrasjen e Khashoggit dhe duke bërë thirrje që t’i jepet fund të mbështetjes amerikane për koalicionin e udhëhequr nga sauditët që luftojnë në Jemen.

Mike Pompeo dhe Mohammed bin Salman ranë dakord të hënën mbi nevojën për të vazhduar uljen e përshkallëzimit të konfliktit në Jemen, duke përfshirë një armëpushim në qytetin kryesor të Hodeidës.

Që nga viti 2015, Arabia Saudite ka udhëhequr një koalicion që kryen sulme ajrore dhe përpjekje të tjera ushtarake në mbështetje të qeverisë së Jemenit në luftën e saj kundër rebelëve huthi që morën nën kontroll kryeqytetin dhe shumë zona të tjera.

Shtetet e Bashkuara kanë dhënë mbështetjen e tyre për fushatën e udhëhequr nga sauditët, duke përfshirë furnizimin ajror me karburant dhe mbështetjen logjistike.

Pompeo shkoi të hënën në Oman, në përfundim të një udhëtimi në Lindjen e Mesme, në të cilën ai është përpjekur t’i sigurojë aleatët për tërheqjen e trupave amerikane nga Siria dhe për të kërkuar mbështetje për përpjekjet e Shteteve të Bashkuara për ta bërë Iranin të ndryshojë atë që administrata Trump e quan sjellje armiqësore.

Login to post comments