Kryebashkiaku i Gdanskut, Pawel Adamowicz ishte figurë kryesore e kampit liberal. Vrasja e tij është paralajmërimi se urrejtja dhe përçarja duhet të marrin fund, mendon Bartosz Dudek.
Nga Bartosz Dudek, Deutsche Welle
Kjo është një ditë e zezë në historinë e Polonisë. Që duhet të ndodhte patjetër në Gda?sk, aty ku filloi shkatërrimi paqësor i komunizmit në Europë. Duhet të ndodhte në një aktivitet bamirës, që synonte të bashkonte njerëzit në një synim të mirë larg ndarjeve partiake.
Dhe kjo i ndodhi një politikani, që 20 vjet me radhë drejtoi fatin e qytetit të tij dhe u rizgjodh sërish para pak kohësh në këtë post. Dhe kjo ndodhi në një vend, ku e djathta ishte krenare që në historinë e saj nuk ka patur vrasje mbretërish dhe e vetmja vrasje politike e kësaj natyre ka qenë vrasja e presidentit të shtetit, Gabriel Narutowicz, gati 100 vjet më parë. Ky është makth.
Edhe nëse atentatori doli që ishte një njeri me të kaluar kriminele dhe ishte i sëmurë psiqik, pohimi që ai bëri në vendin e ngjarjes, tregon se vrasja kishte bazë politike. Përgjegjësinë politike për vrasjen e tij e mbajnë të gjithë ata që nuk nxisin kompromisin dhe dialogun në politikë, por përçarjen dhe konfliktin.
Figurë e urryer nga populistët e djathtë
Sepse Pawel Adamowicz ishte një figurë e rëndësishme e kampit liberal dhe halë në sy për populistët e djathtë dhe nacionalistët. Ai fliste me guxim për të pranuar refugjatët dhe u ofroi atyre vend në qytetin e tij. Ai ishte kryebashkiaku i parë në Poloni, që vuri një këshilltar për çështjet e të huajve. Dhe kur qeveria nacional- konservatore refuzoi në 2016-n që të organizonte përvjetorin e Gjykatës Kushtetuese, Adamowicz organizoi menjëherë festimet në Gdansk.
Politikani popullor, Adamowicz (i paparti që nga viti 2015) u kthye vitet e fundit në tabelë qitjeje për fushatat e mediave të afërta me qeverinë, që kërkonin t'i nxirrnin atij se ishte i korruptuar. Por ata nuk ia arritën synimeve të tyre politike. Në nëntor 2018, Adamowicz u zgjodh për herë të gjashtë kryebashkiak i Gdanskut.
Zgjedhja e tij ishte një reaksion ngushëllues i qytetarëve dhe qytetareve të këtij qyteti liberal dhe të hapur. Megjithatë Adamowicz u kthye në figurë të urryer dhe episodi tragjik i kësaj fushate sapo ndodhi.
Vrasja e politikanit polak është paralajmërim dhe mbase këmbana e fundit e alarmit për Poloninë dhe Europën. Përçarja dhe urrejtja nuk duhet të kenë vend në politikë. Respekti për pikëpamjet politike të të tjerëve dhe gatishmëria për kompromis duhet të zëvendësojnë ato. Zia kombëtare për Adamowiczin duhet t'i bëjë populistët e Polonisë t' i thërrasin mendjes.