LETRA/Trump i anullon vizitat jashtë vendi kryetares së Dhomës: Shtyje ekskursionin!

Premte, 18 Janar 2019 15:53

Presidenti i SHBA, Donald Trump i tha të enjten Kryetares së Dhomës së Përfaqësuesve Nancy Pelosi se udhëtimi i saj në Belgjikë, Egjipt dhe Afganistan është anuluar, për shkak të mbylljes së pjesshme të qeverisë.

Në një letër drejtuar demokrates së lartë të Dhomës së Përfaqësuesve, Presidenti Trump shkruante: "Për shkak të mbylljes së qeverisë, më vjen keq t'ju informoj se udhëtimi juaj në Bruksel, Egjipt dhe Afganistan është shtyrë." “Do ta riplanifikojmë këtë ekskursion shtatë-ditor kur të ketë mbaruar mbyllja,” shkruante Presidenti Trump.

Letra vjen pas një kërkese që zonja Pelosi i bëri Presidentit Trump gjatë kësaj jave për ta shtyrë fjalimin e tij tradicional për gjendjen e vendit përpara dy dhomave të Kongresit më 29 janar.

Presidenti Trump tha se zonja Pelosi duhet të qëndrojë në Uashington për të negociuar me të mbi rrugët për t'i dhënë fund mbylljes së pjesshme të qeverisë, një ngërç që lidhet me refuzimin e Dhomës së Përfaqësuesve për të miratuar fondet e kërkuara nga Presidenti Trump për financimin e një muri kufitar me Meksikën.

Presidenti Trump tha se nëse dëshiron, zonja Pelosi mund të përdorë avionë udhëtarësh për vizitat e saj, duke nënkuptuar se qeveria nuk mund t'i vërë në dispozicion një aeroplan ushtarak.

Udhëtimi i zonjës Pelosi ishte planifikuar të fillonte të enjten mbrëma.

Mbyllja e psesshme e qeveriswë amerikane hyri të enjten në ditën e 27 dhe është mbyllja më e gjatë ndonjëherë në historinë e vendit.

Ndërkohë që mbyllja vazhdon, Departamenti i Shtetit i udhëzoi të enjten të gjithë diplomatët në Uashington dhe jashtë vendit, të kthehen në punë me pagesë javën e ardhshme, duke thënë se kishte gjetur fondet për pagat e tyre të paktën përkohësisht, pavarësisht mbylljes së qeverisë.

Nuk është ende e qartë se ku u gjetën paratë, por departamenti tha se do të përdorte "fonde ekzistuese si dhe burime të tjera fiskale në dispozicion për të rifilluar financimin e listës së pagave".

POLEMIKA MES LIGJVËNËSVE

Mbyllja e pjesshme e qeverisë amerikane gati një muaj më parë, për shkak të kërkesës së Presidentit Trump për financimin e murit në kufirin SHBA-Meksikë, duket se po rrit tensionet mes ligjvënësve.

Udhëheqësi i shumicës republikane në senat, Mitch McConnell kritikoi qëndrimin e Kryetares së Dhomës së Përfaqësuesve Nancy Pelosi dhe të partisë së saj demokrate në lidhje me ndërtimin e murit.

"Vitet e fundit kam parë se si një administratë demokrate ka ndërtuar të njëjtat barriera çeliku, të cilat President i tanishëm kërkon t’i zgjerojë. Por, këto ditë duket se demokratët janë të kënaqur të marrin urdhëra nga ligjvënësja e San Franciskos dhe të rreshtohen në pozicionin e saj ekstrem se muret tani janë bërë të pamoralshme. Vërtet janë bërë?"

Senatori McConnell tha se e vetmja mënyrë për të dalë nga ngërçi është arritja e një marrëveshjeje dy-partiake. Ndërkohë, udhëheqësi i pakicës demokrate në senat, Chuck Schumer tha se zoti McConnell po heq dorë nga autoriteti e tij dhe po bën punën e Presidentit.

"Unë do t'i thoja kryetarit shumë thjesht se ju mund të mos pajtoheni me ne. Por, hapni qeverinë! Ju mund ta bëni këtë zoti McConnell! Fajësimet dhe kritikat tuaja nuk kanë për ta hapur qeverinë. Ne të gjithë e dimë se Donald Trumpi është pengesë. Ju, unë dhe të gjithë e dimë këtë."

Presidenti Trump ka thënë se nuk do të shqyrtonte asnjë propozim për të rihapur qeverinë, nëse kjo nuk përfshin financimin e murit.

Presidenti Trump ktheu në ligj të mërkurën një projekt-ligj që garanton se punonjësit federalë do marrin pagat e humbura për shkak të mbylljes së qeverisë, siç është vepruar gjatë mbylljeve të mëparshme të qeverisë në dekadat të fundit.

Nëse mbyllja zgjat edhe një javë tjetër, punonjësit e qeverisë do të humbasin pagën e tyre të dytë këtë muaj. VO

letra.jpg

 

 

Modifikuar më Premte, 18 Janar 2019 15:58
Login to post comments