Shpërthen tubacioni i naftës, 21 të vdekur dhe 71 të plagosur

Saturday, 19 Janar 2019 19:13

Të paktën 21 persona kanë humbur jetën dhe 71 të tjerë janë plagosur në një shpërthim tubacioni të naftës në rajonin Tlahuelilpan, rreth 100 kilometra nga kryeqyteti Mexico i Meksikës.

Kompania meksikane shtetërore e naftës Petroleos Mexicanos (Pemex) ka bërë të ditur se kanë humbur jetën 21 persona dhe janë plagosur rëndë 71 persona të tjerë të cilët ndodheshin përreth për të mbledhur naftën e rrjedhur nga tubacionet e linjës.

Në Meksikë, mbyllja e disa tubacioneve për shkak të vjedhjes së karburantit nga tubacionet shkaktoi një krizë të karburantit në vend. Për shkak të mbylljes së tubacioneve shpërndarja e karburanteve kryhej përkohësisht nëpërmjet aumjeteve çisternë, ku dhe si pasojë e vonesave në pikat e karburanteve përjetoheshin radhë të gjata të pritjeve.

Javën e kaluar në mediat sociale dolën pamje ku qytetarët në Mexico mbushnin me shishe naftën që rrjedhte nga një e çarë e formuar në tubacion.

Presidenti i vendit, Lopez Obrador, kërkoi nga qytetarët që të jenë të durueshëm duke bërë të ditur se problemet me karburantet janë si rezultat i luftës kundër vjedhësve të karburantit. Pasi u betua më 1 dhjetor kur ai mori detyrën, Obrador premtoi se do të luftonte vjedhësit e lëndëve djegëse në tubacionet e naftës dhe në depo.

Parashikohet se vjedhja e karburantit në tubacionet e naftës dhe në depot shtetërore vitin e kaluar dëmtoi buxhetin e shtetit me rreth 3 miliard dollarë

Login to post comments