Zyrtarët e SHBA po bëjnë thirrje për largimin e presidentit venezuelas Nicolas Maduro.
Presidenti Donald Trump njohu kreun e opozitës së Venezuelës, Juan Guaido, si president të përkohshëm të vendit, duke e rritur presionin ndaj presidentit Nicolas Maduro.
Në një deklaratë, Presidenti Trump tha se do të përdorte “peshën e plotë të fuqisë ekonomike dhe diplomatike të Shteteve të Bashkuara për të bërë trysni në favor të rivendosjes së demokracisë venezueliane”. Ai inkurajoi qeveritë e tjera në hemisferën perëndimore që edhe ato të njohin zotin Guaido.
Mijra protestues antiqeveritarë demonstruan në rrugët e Karakasit të mërkurën, si pjesë e një proteste mbarëkombëtare për të rrëzuar presidentin Nicolas Maduro.
Policia bllokoi shumë rrugë dhe ura në Karakas, ndërsa protestuesit e opozitës hidhnin objekte në drejtim të tyre dhe thërrisnin “Maduro ik” si dhe parrulla të tjera.
Presidenti Maduro po përballet me kritika globale në rritje pas rizgjedhjes së tij vitin e kaluar që u konsiderua gjerësisht si e paligjshshme. Opozita beson se shanset e saj për të detyruar Maduron të largohet janë përmirësuar për shkak të krizës ekonomike të vendit dhe pozitës gjithnjë e më të izoluar të Venezuelës në skenën botërore.
Protestat kundër qeverisë janë një provë vendimtare për Juan Guaidon, udhëheqësi i sapozgjedhur i Kongresit.
Megjithatë, çdo ndryshim i regjimit varet nga besnikëria e forcave të armatosura, të cilat kanë mbështetur Maduron gjatë dy valëve të protestave në rrugë.
Zoti Guaido i ka bërë thirrje ushtrisë të dënojë Maduron dhe ka premtuar amnisti për ata që ndihmojnë për të punuar drejt rivendosjes së demokracisë në vend.
Ai ka thënë se do të jetë i gatshëm të shërbejë si president i përkohshëm dhe të kërkojë zgjedhje të reja nëse Maduro detyrohet të largohet me ndihmën e ushtrisë.