“Reuters”, ka raportuar se disa ushtarakë privatë rusë janë duke qarkulluar në Venezuelë në emër të Rusisë për ta ndihmuar presidentin zyrtar, Nicolas Maduro, që ta forcojë sigurinë për shkak të protestave të opozitës dhe rrezikimit të pushtetit.
Ky raport citon dy njerëz të afërt me këta ushtarakë. Ata e kanë konfirmuar se rusët tashmë kanë arritur në Venezuelë, por nuk është saktësuar roli i tyre. Një burim tjetër ka thënë se ata kanë ardhur nga shtete tjera, ku kanë qenë duke vepruar më parë. Ministria e Mbrojtjes në Rusi dhe Ministria i Informacionit në Venezuelë nuk i kanë komentuar këto raportime.
Agjencia, duke u mbështetur gjithnjë në këto burime të siguruara, ka thënë se rusët e ardhur në Venezuelë i përkasin grupit “Wagner” dhe më parë kanë qenë të përfshirë në operacione të ndryshme klandestine në disa shtete. Prania e ushtarakëve rusë është raportuar edhe më parë në Siri, Ukrainë dhe në disa shtete të Afrikës.
Para disa ditësh, një zëdhënëse e Ministrisë së Jashtme e kishte pranuar se ushtarakët privatë janë duke operuar në Sudan, pas raportimeve të medieve britanike se ata po e ndihmojnë shtypjen e protestave në shtetin që është aleat i Moskës. “Sipas të dhënave tona, përfaqësues të kompanive private të sigurisë, të cilat nuk kanë lidhje me institucionet shtetërore ruse, janë duke operuar në Sudan”, thuhej në deklaratë, shkruan “Free Europe”.