Ligjvënësit opozitarë në Britani të Madhe, kanë dështuar të miratojnë një masë e cila, do të siguronte që Mbretëria e Bashkuar të mos largohet nga Bashkimi Evropian pa marrëveshje. Deputetët e parlamentit britanik kanë votuar me 309 vota kundër këtij dokumenti, në krahasim me 298 që kanë përkrahur atë. “Kjo është zhgënjyese, një rezultat i ngushtë. Mirëpo ky është vetëm fillimi i përpjekjeve tona për të bllokuar Brexit pa marrëveshje”, ka thënë zëdhënësi i Partisë Laburiste, Keir Starmer.
Partia Konservatore, që aktualisht është në pushtet, është duke zhvilluar garë të brendshme për të zëvendësuar kryeministren, Theresa May, e cila ka dhënë dorëheqje nga drejtimi i partisë javën e kaluar, pas tre herëve kur plani i saj për largim të Britanisë nga BE-ja ka dështuar që të miratohet.
Disa prej 10 kandidatëve, duke përfshirë Boris Johnson, kanë thënë se nëse fitojnë pozitën e kryeministrit, do ta largonin Britaninë nga BE-ja më 31 tetor, me pa apo marrëveshje.
Britania pritet të largohet nga BE-ja më 31 tetor të këtij viti, mirëpo fillimisht parlamenti në Mbretërinë e Bashkuar duhet të miratojë kushtet e largimit.